TVSH 8 dhe 18 për qind

Ministria e Financave ka nisur procedurat për ndryshimin e ligjit për “Tatimin e Vlerës së Shtuar”, duke reduktuar TVSH-në nga 16, sa është aktualisht në disa produkte, në 8 për qind dhe duke e rritur në 18 për qind për disa të tjera.
Lista e produkteve, të cilat do të kenë TVSH-në 8 për qind, e për të cilat pritet ulja e menjëhershme e çmimit me të hyrë ligji në fuqi, janë shërbimet publike si energjia, uji, mbeturinat, ngrohja dhe pastrimi i rrugëve, si dhe produktet bazë të shportës së konsumatorit: buka, vaji, kripa, sheqeri, qumështi, orizi, vezët, barnat, produktet farmaceutike dhe pajisjet mjekësore.
“Çdo gjë që blejnë sot konsumatorët paguajnë 16 për qind TVSH. Presim që kjo të reflektohet drejtpërdrejt në faturën e ujit, ngrohjes dhe energjisë, për konsumatorët, menjëherë sapo të hyjë në fuqi ligji. Ata do të marrin faturën 8 për qind më të ulët, sesa e kanë marrë deri më tani, por pres që edhe për ushqimet elementare të ndodhë një gjë e tillë. Çdo gjë, që paguan konsumatori 16 për qind më shtrenjtë është vetëm prej TVSH-së. Nëse biznesi detyrohet që shtetit t’i paguajë vetëm gjysmën e saj, pra 8 për qind, atëherë detyrimisht që do të ulen çmimet”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave për TopChannel.
Qeveria e Kosovës ka parashikuar rritje të normës së TVSH-së për të gjitha produktet e tjera, nga 16 në 18 për qind. Në listën e produkteve me normë të ndryshuar janë edhe mediet elektronike dhe gazetat. Aktualisht mediet nuk paguajnë TVSH për letrën, pajisjet e tjera dhe faturat që lëshojnë. Me propozimin e ri, TVSH-ja shkon në 8 për qind.
Ligji për TVSH-në me ndryshimet e propozuara pritet të shkojë shumë shpejt në Kuvend për miratim. Varësisht nga dinamika e punës, janë dy afate se kur mund të hyjë ai në fuqi: muaji korrik i këtij i viti, ose janari i vitit 2016.