Turqia do t’ia rikthejë Moskës trupin e pajetë të pilotit rus

Autori:Gazeta Fjala

Turqia ka bërë të ditur së fundi se trupi i pilotit rus, të vrarë pas rrëzimit të avionit luftarak mbi hapësirën siriane, është tashmë në duart e ushtrisë së saj dhe së shpejti do t’ia dorëzojnë atë Rusisë. Lajmi është bërë i ditur nga vet kryeministri turk, Ahmet Davutoglu.

Forcat turke ajrore qëlluan avionin rus, pas pretendimeve se ai kishte shkelur hapësirën ajrore turke, gjë që vet Moska e mohon. Incidenti solli më pas në një retorikë tepër të ashpër dhe të nxehtë mes dy vendeve, ndërsa Rusia ka shpallur një sërë sanksionesh ekonomike kundrejt Turqisë.

Megjithatë, trupi i pajetë i kolonelit Oleg Peshkov do t’u kthehet sërish rusëve, teksa një tjetër pilot nga i njëjti avion i rrëzuar arriti t’i mbijetonte incidentit ajror dhe u shpëtua nga forcat speciale siriane, në territorin e kontrolluar prej rebelëve anti-Assad.

Një dekret i nënshkruar nga Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë së shtunës prek importet nga Turqia, funksionimin e mëtejshëm të kompanive turke në Rusi dhe çdo shtetas turk që punon për kompanitë ruse. Dekreti bën thirrje gjithashtu për t’u dhënë fund fluturimeve “charter” mes dy vendeve.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka refuzuar t’i kërkojë falje Rusisë për incidentin ajror. Të premten, ai e akuzoi Moskën se “po luante me zjarrin” sa u përket operacioneve të saj në Siri. Por, të shtunën, ai tha se “ishte i keqardhur” për rrëzimin e avionit.

Turqia dhe Rusia kanë lidhje shumë të rëndësishme ekonomike. Rusia është partneri i dytë më i madh tregtar për Turqinë, ndërkohë që më shumë se 3 milionë turistë rusë vizituan Turqina gjatë këtij viti./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/turqia-do-tia-riktheje-moskes-trupin-e-pajete-te-pilotit-rus/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala