Tspiras jep dorëheqje, Greqia në zgjedhje të parakohshme

Autori:Avdyl Pajaziti

Ka përfunduarr rreth orës 17:00 mbledhja urgjente e kabinetit qeveritar në Athinë nën drejtimin e kryeministrit Tsipras, i cili ka deklaruar se në orën 8 të mbrëmjes, me orën lokale, do të japë një mesazh televiziv për popullin grek.

Burime qeveritare bëjnë me dije, ashtu siç ka njoftuar edhe Top Channel tri ditë më parë, se Tsipras do të dorëzojë mandatin duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë te presidenti dhe në këtë mënyrë Greqia do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme në datën 20 shtator.

Në orët e fundit, në zyrat politike dhe ato gazetareske kanë qarkulluar dy skenare kryesore. I pari që ditën e hënë Tsipras do të kërkojë votëbesimin e qeverisë në Parlament, ku me siguri rebelët e grupit të tij parlamentar nuk do t’ja japin dhe duke humbur në këtë mënyrë shumicën, ai do të dorëzojë mandatin tek presidenti dhe do të fillojë procedurat e zgjedhjeve të parakohshme. Por kjo alternativë fsheh surprizën se në Parlamentin 300 vendësh, nëse 43 rebelët e radikalëve të majtë dhe një prej partive opozitare abstenojnë, sipas Kushtetutës, mjaftojnë 120 vota pro, të cilat Tsipras i ka, që qeveria të marrë votëbesimin dhe të vazhdojë të qeverisë, por të jetë e pafuqishme.

Skenari i dytë, që kërkon të shmangë gjithë këtë procedurë, është që Tsipras të dorëzojë mandatin direkt tek Presidenti duke dhënë dorëheqjen e qeverisë së tij. Në këtë rast, Presidenti do të japë mandatin e krijimit të qeverisë tek partitë e tjera, të cilat, duke ditur se nuk kanë asnjë shpresë për të krijuar një kabinet qeveritar, do t’ja kthejnë menjëherë, kështu që do të shpallë sipas Kushtetutës zgjedhje të parakohshme brenda 30 ditësh.

Problemi në këtë rast qëndron në faktin se një prej liderëve që do të marrë përkohësisht mandat për të krijuar qeverinë do të jetë qoftë edhe për disa orë, kreu i neonazistëve të Agimit të Artë, Nikos Mihaloliakos.

Deri në orët e fundit ekzistonte edhe një skenar i tretë, që Tsipras të shkojë në zgjedhje në tetor ose në nëntor, pasi të jenë miratuar në seancat verore të Parlamentit shumica e ligjeve zbatuese të reformave të kërkuara. Por këtu ekziston rreziku që radikalët e majtë të humbasin disi forcën e tyre, pasi do të kenë filluar të ndjehen disa nga pasojat e masave të ashpra financiare në shtresat e popullit.

Pa dyshim që Tsipras në këtë iniciativë të guximshme politike do të marrë aprovimin edhe të kreditorëve, të cilët gjëja e fundit që duan në momentin kur fillon të rrjedhë ndihma prej 86 miliardë eurosh, është një Greqi e destabilizuar politikisht.

Por, nga ana tjetër, rebelët marksistë nuk lejojnë kryeministrin grek të aprovojë me shumicë votash ligjet e këtij memorandumi në Parlament, pra nuk e lejojnë të qeverisë.

Ajo që të gjithë duan të mësojnë sot ose në ditët në vazhdim nuk është fakti nëse do të kemi apo jo zgjedhje të parakohshme në Greqi, por ditën e saktë të zhvillimit të tyre në shtator, tetor apo në rastin më ekstrem në nëntor të këtij viti.

/ Top Channel

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tspiras-jep-doreheqje-greqia-ne-zgjedhje-te-parakohshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala