Tsipras: Grekët ti thonë jo kushteve të huadhënësve në referendum

“Përgjigjen do ta japë populli grek. Nëse grekët dëshirojnë të vazhdojnë me masat shtrënguese në përjetësi, me reformat e ashpra që nuk do të na lënë të ngremë kokën, që po detyrojnë mijëra të rinj të largohen jashtë shtetit, që do të shkaktojnë rritje të papunësisë dhe të marrim përsëri programe ndihme dhe kredi, në qoftë se kjo është zgjedhja e tyre, ne do e respektojmë atë, por ne nuk do të jemi ata që do ta zbatojnë”, tha Tsipras, raporton TCH.
Tsipras gjithashtu ka deklaruar se Greqia nuk paguan sot detyrimin e saj ndaj FMN-së prej 1.6 miliardë euro. Megjithë kërcënimet dhe rrezikun për daljen e vendit nga Eurozona, sipas britanikes ‘Daily Telegraph’, ministri grek i Financave, Gianis Varoufakis, ka deklaruar se qeveria greke do të shkojë në Gjykatën Europiane të Komuniteteve, pasi statusi i Be-së nuk parashikon daljen e një vendi anëtar të euros nga zona e monedhës së përbashkët.
Ndërsa kancelarja Merkel ka mbledhur liderët politikë të Gjermanisë për të diskutuar se si do të veprohet për çështjen greke, ministri i Finacave, Shcauble, ka deklaruar se propozimi i huadhënësve për Greqinë është anuluar, kështu që mund të rinisin nga fillimi negociatat nëse pranon Athina. Kreu i KE-së, Jean Claude Juncker, i ka kërkuar kryeministrit Tsipras të pranojë një propozim të ri të Eurogrupit, por burime pranë qeverisë greke kanë deklaruar se pavarësisht se Athina është e hapur për të gjetur një zgjidhje, vendi do të zhvillojë të dielën referendumin.
Ndërkohë, mijëra protestues janë mbledhur në një tubim në sheshin Sintagma të Athinës, në mbështetje të qeverisë duke kërkuar nga të gjithë qytetarët që të votojnë kundër masave të kreditorëve të huaj.
“Për mua, kjo është një luftë dhe ne duhet të rezistojmë dhe të luftojmë kundër këtij sulmi që po na bëhet ndaj vendit tonë, ndaj demokracisë”, thotë një qytetare greke.
Zhvillimet e fundit kanë bërë që në fillim agjencia “Fitch” të zhvlerësojë në statusin e falimentimit të kufizuar katër bankat kryesore greke, ndërsa edhe S&P ka ulur më tej aftësinë kredituese të Athinës, kur mundësia për një Grexit ka shkuar në 50%.
Ndërkohë, mbyllja e bankave dhe limiti i tërheqjes së parave ka shkaktuar një ngrirje të tregut dhe të veprimtarisë së bizneseve dhe rritje e çmimeve të karburantit. Qeveria ka deklaruar se transportin publik në zonën e Athinës do të jetë falas për sa kohe bankat janë të mbyllura.