Tri bashkësitë fetare në Gjilan pastrojnë varrezat myslimane e ortodokse

Autori:Gazeta Fjala

Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot në Gjilan ka nisur pastrimi i varrezave të qytetit, përfshirë ato myslimane dhe katolike, duke mbjellë qindra fidanë, në të cilin aktivitet kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Bashkësisë Islame, Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse, sikurse edhe nxënësit gjimnazit.

Haziri ka thënë me këtë rast se aksioni i sotëm për pastrimin e varrezave myslimane dhe ortodokse si dhe mbjellja e fidanëve shënon përmbylljen e “Muajit të Tolerancës dhe Solidaritetit”.

Pasi ka falënderuar të gjitha bashkësitë fetare që kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet në muajin tetor, Haziri theksoi se varrezat e qytetit tashmë do të konservohen pasi Komuna do të bëjë vend për varrezat e reja të qytetit si për komunitetin mysliman, ashtu edhe për atë katolik dhe protestant.

Nga ana e tyre, tre përfaqësuesit e bashkësive fetare në Gjilan, Naim Aliu nga Bashkësia Islame, Don Albert Jakaj nga Kisha Katolike dhe Dragan Kojic nga Kisha Ortodokse, kanë falënderuar kryetarin Haziri për iniciativën e sotme për pastrimin e varrezave të qytetit, duke shfaqur zotimin se do t’i përgjigjen të gjitha thirrjeve të Komunës së Gjilanit sa herë që është e nevojshme në shërbim të besimtarëve.

Ndryshe, “Muaji i Tolerancës dhe Solidaritetit” në Gjilan ka nisur me pastrimin e xhamisë dhe kishës në Dunav të Karadakut, ka vazhduar me turneun e futbollit, është mbajtur një ekspozitë në foajenë e teatrit të qytetit me punime të artit figurativ nga nxënësit e shkollave të ulëta të mesme, me tematikë “Toleranca ndërfetare dhe solidariteti”, sikur që janë mbajtur edhe dy debate për rolin e të rinjve dhe grave në aspektin e tolerancës fetare.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tri-bashkesite-fetare-ne-gjilan-pastrojne-varrezat-myslimane-e-ortodokse/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala