Treshja Gruevski – Ahmeti – Thaçi pranon Qeverinë e zgjeruar

Autori:Avdyl Pajaziti

Plani për një qeveri të zgjeruar mes katër partive kryesore është një nga pikat për të cilën janë pajtuar VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSH.

Kjo bëhet e ditur nga burime jozyrtare diplomatike, të cilat për INA theksojnë se tri partitë kanë dhënë miratimin për këtë format të qeverisjes për tejkalimin e krizës, por pengesa mbetet LSDM.

Lideri i VMRO-DPMNE dhe kryeministri Nikola Gruevski bashkë me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe atë të PDSH-së, Menduh Thaçi gjatë takimit të djeshëm të liderëve të katër partive për disa minuta kanë diskutuar të vetëm si treshe, ku siç mësohet janë pajtuar për një qeverisje kalimtare përmes qeverisë së zgjeruar.

Gruevski me Ahmetin dhe Thaçin janë ngjitur bashkë në katin e dytë të Klubit të deputetëve, ku siç thuhet kanë diskutuar mbi këtë pikë. Këto detaje janë diskutuar edhe me ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së, Jess Baily dhe Aivo Orav.

BDI dhe PDSH nuk kanë dashur të flasin për detajet e takimit të djeshëm të liderëve, duke nënvizuar se ka pasur lëvizje pozitive. Jozyrtarisht përmendet hartimi i një kornize disa pikëshe, e cila do të ketë për bazë për tejkalimin e krizës politike.

Katër liderët e partive miratuan dje vetëm në deklaratë të përbashkët për gatishmërinë për të vazhduar dialogun dhe për zhvillimin e protestave paqësore.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka deklaruar qartë se kërkojnë dorëheqjen e kësaj qeverie dhe formimin e një qeverie kalimtare, pa Gruevskin si kryeministër.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/treshja-gruevski-ahmeti-thaci-pranon-qeverine-e-zgjeruar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala