“Trepça”

Autori:Avdyl Pajaziti

19 janari mund të ketë qenë dita më e vështirë e Isa Mustafës nga kur erdhi në krye të qeverisë. Një seancë Kuvendi e thirrur mëngjesin e kësaj dite me të vetmen pike të rendit të ditës Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike me të cilin ligj ishte paraparë që kombinati Trepça të kthehet në pronësi të shtetit të Kosovës si Ndërmarrje Publike.

Por telashe kryeministrit i dolën me Listën Serbe, pas këmbënguljes së tyre që “Trepça” nuk mund ti takoj shtetit të Kosovës. Kështu Isa Mustafa një ligj që ishte sponsorizuar nga ekzekutivi kërkoi ta kthej mbrapsht. Kjo u bë edhe pse për herë të parë pati unanimitet të subjekteve politike shqiptare që të votohet projektligji i propozuar.

Isa Mustafa thirri mbledhje urgjente qeverie e Kadri Veseli një seancë kuvendi të jashtëzakonshme. Temë diskutimi u vendos të jetë Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre. Këtu qeveria hoqi dorë nga propozimi i parë që “Trepçën” e kthente në ndërmarrje publike të shtetit të Kosovës. Opozita e një pjesë e deputetëve nga pozita kundërshtoi por me shumicë vota ligji kaloi.

Këto zhvillime në kuvend e qeveri bënë që të nesërmen ndërrimi i parë i minatorëve në Stantërg të futen në grevë. Atyre gradualisht iu bashkëngjiten edhe minatorët pensionist e përkrahje iu erdhi përveç subjekteve politike opozitare edhe nga shumë organizata tjera.

Me kërkesë të minatorëve drejt kryeministrisë po këtë dit u nis drejtori menaxhues Ahmet Tmave me kryetarin Mitrovicës Agim Bahtiri. Por kërkesat e tyre nuk u morën parasysh nga Isa Mustafa që të procedohet ligj që “Trepçën” e bën publike.

Kështu greva e minatorëve u shtri edhe në Kishnicë. Pas shumë negociatash më 22 janar në orët e mbrëmjes Menaxheri i Trepçës Ahmet Tmava ka bërë me dije se pas diskutimeve të shumta më në fund është arritur marrëveshje që greva të mos ndërpritet për asnjë çmim, dhe shkresa e kryeministrit dërguar minatorëve nuk i ka plotësuar kërkesat e pritura të tyre.

Sipas tij, minatorët janë dakorduar njëzëri se kërkesat për Trepçën që të jetë pronë e Republikës së Kosovës nuk negociohen me asnjë çmim, dhe duke marrë parasysh brengat dhe reflektimin e tërë popullatës për fatin e Kombinatit Trepça, si dhe të grevistëve, greva pezullohet.

“Ky pezullim prodhon obligime për institucionet qendrore, e ato janë, që në afatin 1 mujor Qeveria e Kosovës me çdo kusht duhet te sjellë vendim dhe garanton që Kombinati nuk do të hyjë në procesin e privatizimit, dhe brenda këtij afati një mujor qeveria të raportojë për rrjedhën dhe dinamikën e angazhimit të sqarimit të statusit të Trepçës”, ka thënë Tmava.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/trepca/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala