“Trepça” nuk diskutohet në Bruksel

Autori:Gazeta Fjala

Frika e qytetarëve të Kosovës se edhe për pasurinë më të madhe në vend, Trepçen do të bisedohet në Bruksel, duke i marrë parasysh pretendimet e shtetit të Serbisë për pasuritë e Kosovës, për Qeverinë e Kosovës nuk duhet të merren parasysh, pasi që edhe Kushtetuta e Kosovës dëshmon se pronat dhe të gjitha asetet brenda territorit të vendit tonë menaxhohen nga shteti i Kosovës.

 

Një pretendim të tillë e kanë rishfaqur sërish përfaqësues të shtetit serb ndaj gjigantit ekonomik “Trepça”, ndërmarrje kjo e cila në Kushtetutën e Kosovës njihet si ndërmarrje shoqërore dhe e administruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

 

Përkundër këtyre pretendimeve, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, deklarojnë se çështja jo vetëm e Trepçës por e të gjitha pasurive dhe aseteve të Kosovës asnjëherë nuk do të diskutohet në dialogun me Serbinë, pasi që çështjet e brendshme të Kosovës nuk kanë se si të diskutohen me një palë tjetër.

 

Ministrja për dialog Edita Tahiri tha për KosovaPress se asnjëherë nuk do të diskutohet në dialogun me Serbinë për Trepçën, e as për ndonjë pronë apo aset tjetër të Kosovës.

 

Zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi, për KosovaPress tha se çështja e Trepçës dhe menaxhimit të saj është e qartë edhe për palën serbe, ani pse pretendimet e tilla janë shfaqur vazhdimisht nga pala serbe.

 

Ndërkohë, lidhur me shqetësimet e minatorëve të Trepçës që kanë të bëjnë me definimin e statusit të tyre, në një përgjigje përmes emailit Zyra për Komunikimi e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, është përgjigjur për KosovaPress se “MZHE është e përkushtuar për këtë sektor, dhe tashmë ka themeluar një grup të veçantë të punës të ekspertëve për studimin, hulumtimin dhe avancimin e zhvillimit të këtij sektori dhe ndërmarrjen e hapave të duhur për këtë sektorë”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/trepca-nuk-diskutohet-ne-bruksel/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala