Treni i pesë palë binarëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Profesori i kimisë në Ferizaj ua ka përshtatur tre kursantëve lipjanas orarin e kursit me atë të trenave të Hekurudhave të Kosovës.

Maturantët kanë prerë biletën në shtatë e gjysmë të mëngjesit në Stacionin e Lipjanit dhe fiks në 07:37 janë nisur drejt qytetit jugor me linjën Prishtinë-Shkup. Në 08:02 minuta kanë zbritur në Ferizaj, për të ndjekur dy orët e kursit.

Butrint Salihu, Besart Vitia dhe Latif Bytyçi kanë hipur në 11:30 në trenin e linjës Hani i Elezit-Fushë-Kosovë.

Tre nxënësit, që ende nuk kanë ndarë mendjen çfarë do të studiojnë, kanë dy arsye të forta pse udhëtojnë me tren.

“E para, çmimi është më i lirë për nxënës dhe studentë, ta zëmë 80 centë është për pasagjerë të rregullt, 40 centë për ne”, thekson Butrinti, që merr miratimin me kokë të dy shokëve ulur në karriget paralele.

“Pastaj, ndryshe prej kohës së paraluftës, kur kishte linja direkte me autobus Lipjan-Ferizaj, tash nuk ka”, shton Butrinti, shkruan “Koha Ditore”.

Besarti e Latifi thonë se ndryshe duhet të ndërrojnë autobusët nëpërmjet Shtimes apo rrugës magjistrale Prishtinë-Ferizaj. Megjithëse treni nuk zhvillon kushedi çfarë shpejtësie, djelmoshat mund të llogarisin të arrijnë me kohë.

Në 12:02 minuta treni, që në hyrje të qytezës së rrafshët ul shpejtësinë dhe shpeshton sirenën, ndalet në binarët e ndërmjetëm prej pesë, sa i ka Stacioni i Lipjanit. /Koha Ditore/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/treni-i-pese-pale-binareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala