Tregtia, Kosova e bllokuar dhe jokonkurruese

Autori:Avdyl Pajaziti

Problemet me të cilat ballafaqohen bizneset e Kosovës, përfshi ligjet në fuqi, krijojnë një situatë jo të favorshme për shkëmbimet tregtare.

Vetë bizneset nuk besojnë se produktet e tyre mund të jenë të barabarta me produktet e vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian dhe vlerësojnë një numër vështirësish për të bërë tregti.

Këtë e dëshmon hulumtimi i bërë nga Sekretariati i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) i cili ka publikuar raportin në bazë të anketës që ka zhvilluar me vendet e Ballkanit për strategjinë zhvillimore ekonomike si shtyllë kryesore e Evropës Juglindore 2020.

Ndërkaq, bilanci tregtar i Kosovës, praktikisht, nuk ka ndryshuar që 8 vite radhazi. Nga viti 2007 e deri në 2014 diferenca mbetet e njëjtë, me 88% importe dhe vetëm 12% eksporte.

Në anketë morën pjesë 200 bizneseve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Kroacia si dhe 1400 biznese nga vendet tjera të Ballkanit si Sllovenia, Greqia, Turqia, Bullgaria.

Në pyetjen se sa i shohin produktet e tyre konkurrente ne mes vete dhe me vendet e BE-së Kosova është ajo e cila pajtohet se nuk mund të konkurrojë, dhe as të jetë e barabartë me vendet tjera.

Grafiku më poshtë rendit Kosovën më së dobëti për sa i përket përgjigjes se produktet, mallrat dhe shërbimet e saj mund të konkurrojnë me produktet, mallrat dhe shërbimet nga Evropa Juglindore.

Nga të anketuarit 48% e biznese nga Kosova totalisht nuk pajtohen se produktet e tyre janë konkurrentë me vendet e rajonit përderisa, 39% nuk pajtohen se produktet e tyre janë konkurrent me vendet e rajonit.

Në pyetjen e njëjtë se a munden që produktet e Kosovës të konkurrojnë me produktet e vendeve të BE po ashtu e rendit Kosovën në vendin e fundit, ku 44% totalisht nuk pajtohen se produktet e tyre mund të konkurrojnë me vendet e BE-së, 42% thjesht nuk pajtohen se janë konkurrent në tregjet e BE-së.

Duke e parë bilancin tregtar, një numër i vogël prej 8% të bizneseve pajtohen se produktet e tyre mund të konkurrojnë me produktet e vendeve tjera.

Ndërsa Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe vendet tjera të Evropës Juglindore, totalisht pajtohen se mund të konkurrojnë me produktet e tyre, me një mesatare prej 58%, si në tregjet rajonale po ashtu edhe në tregjet e BE-së.

Në anën tjetër, gjatë konferencave të mbajtura mes qeverisë me ndërmjetësim të odave ekonomike, bizneset e Kosovës vazhdimisht kanë ngritur ankesa në procedurat burokratike që kanë në doganë.

Në konferencën e mbajtur ditë më parë nga Oda Amerikane, Mërgim Prishtina, kryesues i Komitetit për Prodhim të Odës Amerikane, kritikoi ligjet e eksport-importit si dhe doganat e Kosovës për procedura burokratike dhe kohën e gjatë që marrin këto procedura në rregullimin e dokumentacionit përkatës.

Këto ankesa të komunitetit të biznesit mbështeten edhe nga gjetjet e barometrit ekonomik të anketave, sipas të cilit, bizneseve të Kosovës iu duhen disa ditë më shumë se vendet e tjera të rajonit për të kryer procedurat doganore.

Përderisa Shqipërisë i duhen 2 ditë për procedurat doganore në rast importi dhe 1 ditë në rast eksporti, që njëherësh është edhe rekord i procedurave të thjeshta në krahasim me vendet tjera të rajonit, Kosovës i duhen 6 ditë për të njëjtat procedura për import dhe 4 ditë për eksport.

Mesatarja e vendeve të rajonit për procedurat doganore është 3 ditë për importet dhe 2 ditë për eksportet. Në të dyja rastet, Kosova merr dyfishin e ditëve për secilën procedurë, ndërsa Shqipëria afërsisht gjysmën e mesatares rajonale.

Pavarësisht vështirësive ekonomike të Kosovës, marrë parasysh parasysh të gjithë faktorët e barometrit ekonomik, anketa tregon se sipërmarrësit kosovarë janë mjaft optimistë për sa i përket të ardhmes edhe pse të gjithë treguesit nuk japin një pasqyrë negative tek investitorët e huaj.

Në pyetjen “a besoni se ekonomia juaj është vendi i mirë për të investuar”, bizneset e Kosovës besojnë dukshëm se Kosova është vend i mirë për të investuar.

Gati gjysma (49%) mendojnë se Kosova është vend shumë i mirë për të investuar, 33% mendojnë se është vendi më i mirë për të investuar, ndërsa një përqindje e vogël mendojnë se nuk është vend i mirë për të investuar.

Më pesimistët mbi këtë tregues, rezultojnë bizneset e Bosnje-Hercegovinës, ku 22% mendojnë se nuk është vend i mirë për të investuar.

Sipas Raportit Vjetor 2014 të Doganës së Kosovës, Serbia është vendi kryesor nga i cili Kosova importon. Vendi i dytë është Gjermania, e ndjekur nga Italia, Turqia, Kina dhe Maqedonia.

Megjithatë, një pjesë e madhe e produkteve bujqësore importohen nga Maqedonia në Kosovë, ndonëse kjo e fundit është vend fushor dhe me vlerësime të mira mbi mundësitë e prodhimit dhe konkurrencës në sektorin bujqësor./kallxo.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tregtia-kosova-e-bllokuar-dhe-jokonkurruese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala