Tre punëtorë nga Kosova vdesin në Kazakistan

“Mabetex” përmes një komunikate për media ka konfirmuar lajmin për vdekjen e tre punëtorëve shtetas të Kosovës të kësaj kompanie në Astana të Kazakistanit.
Punëtorët e vdekur janë Blerim Kadriu (1981), Bekim Durmishi (1983) dhe Luan Bakia (1976), kurse të lënduar kanë mbetur Hajrush Hoti (1969), Isuf Bekolli (1956) dhe Avni Maksuti (1979).
“Mabetex” njofton se janë duke marrë masat e nevojshme për t’u kthyer kufomat e të ndjerëve në Kosovë dhe tre te lënduarit tjerët janë duke u trajtuar në spitalet e Astana. “Kjo tragjedi, vjen si pasojë e momentit kur punëtorët ishin duke zbërthyer skelet e një muri mbi 20 metra. Lidhur me shkaqet si kanë ndodhur MABCO Constructions është duke bërë hetuesi rrënjësore në bashkëpunim me organet e shtetit dhe familjarët do të informohen detajisht”, është thënë në komunikatën e kompanisë “Mabetex”. “E gjithë familja e Mabetex-it shpreh ngushëllimet me të sinqerta për këtë tragjedi dhe lutemi për ata në këtë natë të madhe të muajit të shenjtë”, është thënë në komunikatën e “Mabetex”-it.