Trashëgimia nën flakë: Ndjekja penale e krimeve kulturore gjatë luftës

Autori:Avdyl Pajaziti

Çështja e trashëgimisë kulturore dhe shkatërrimi i saj ka qenë një temë kryesisht e harruar në Ballkan, deri së fundmi kur Beogradi dhe Prishtina filluan shkëmbime akuzash para votimit në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s më 9 nëntor nëse Kosova duhet të lejohet apo jo t’i bashkohet organit kulturor të OKB-së.

Në një gjyq në Sarajevë në vitin 2013, një dëshmitar risolli në mendje se si trupat serbe të Bosnjës i rreshtuan të burgosurit boshnjakë, i vunë nën shënjestër dhe më pas pyetën komandantin e tyre se çfarë të bënin më ta.

“Çojini në xhami, le t’i luten Allahut dhe pastaj vritini të gjithë”, u përgjigj komandanti, sipas dëshmitarit.

Pasi të shtënat ndaluan, 11 boshnjakë kishin vdekur. Trupat e tyre u grabitën dhe xhamisë iu vu zjarri.

Gjykata dënoi tre ish-ushtarë serbë të Bosnjës më një total prej 63 vitesh burg për krime në qytetin e Prijedorit – jo vetëm për vrasjen e viktimave, por edhe për djegien e xhamisë.

Ishte një nga çështjet e rralla të krimeve të luftës në vendet e ish-Jugosllavisë në të cilat luftëtarët dënoheshin nga gjykata vendase për shkatërrim të objekteve fetare si edhe vrasje dhe dëbime.

 

Çështja e trashëgimisë kulturore dhe shkatërrimi i saj ka qenë një temë kryesisht e harruar në Ballkan, deri së fundmi kur Beogradi dhe Prishtina filluan shkëmbime akuzash para votimit në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s më 9 nëntor nëse Kosova duhet të lejohet apo jo t’i bashkohet organit kulturor të OKB-së.

Beogradi i ka bazuar disa nga argumentet e tij kundër bashkimit të Kosovës në UNESCO mbi akuzat që autoritetet e Prishtinës nuk kanë qenë në gjendje të mbrojnë dhe ndonjëherë madje edhe kanë bashkëpunuar në shkatërrimin e vendeve kulturore dhe fetare serbe në Kosovë që prej përfundimit të luftës në vitin 1999.

Prishtina e refuzon këtë pretendim, dhe në vend të kësaj akuzon Beogradin se ka shkatërruar xhamitë e saj gjatë luftës.

Xhamitë digjen, Dubrovniku bombardohet

Shkalla e shkatërrimit gjatë konflikteve të viteve 1990 u përhap gjerësisht.

Gjyqet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, në Hagë kanë vendosur se gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë dhe Hercegovinë, u shkatërruan ose dëmtuan rreth 1,200 xhami.

Sipas autoriteteve kroate, rreth 2,440 ndërtesa me rëndësi kulturore u dëmtuan gjatë luftës kroate në vitet 1991-1995.

Akti i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë ishte lufta e vitit 1999 në Kosovë, e cila pa rreth 200 xhami dhe 150 kisha ortodokse serbe të shkatërroheshin. Disa nga këto ishin vende Trashëgimi Botërore të shpallura nga UNESCO.

 

Por ndërsa gjykatat vendase në vendet e ish-Jugosllavisë nuk kanë të dhëna të mira për ndjekjen penale të njerëzve për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore gjatë luftërave të viteve 1990, ICTY-ja kanë bërë më mirë.

Gjykata e mbështetur nga OKB-ja dënoi disa zyrtarë ushtrie dhe shteti për krime kundër njerëzimit dhe për shkatërrim të trashëgimisë kulturore, duke vendosur një precedent në të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Një nga çështjet historike në ICTY përqendrohej në bombardimin e resortit piktoresk kroat të Dubrovnikut, ku Qyteti i Vjetër u bombardua nga 1 tetori 1991 deri më 31 maj 1992.

Pavle Strugar, një gjeneral i Ushtrisë Popullore Jugosllave gjatë kohës së luftës, u dënua me shtatë vjet e gjysmë burg nga gjykata e mbështetur nga OKB-ja për sulmet mbi Dubrovnik.

ICTY-ja dënoi gjithashtu komandantin e Marinës Jugosllave Miograd Jokiç për bombardimin e Dubrovnikut.

Jokiç pranoi se më 6 dhjetor 1991, forcat jugosllave nën komandën e tij qëlluan me qindra bomba mbi Qytetin e Vjetër. Ai pranoi gjithashtu se në kohën e bombardimit, ai ishte në dijeni të statusit të mbrojtur që Qyteti i Vjetër gëzonte nga UNESCO-ja si vend Trashëgimi Kulturore Botërore.

Në Bosnjë, Biljana Plavsiç, ish-presidentja serbe e Bosnjës e enitetit të Republikës Srpska, u dënua nga Gjykata e Hagës për persekutim si një krim kundër njerëzimit, me vendimin që citonte shkatërrimin nga ana e forcave serbe të Bosnjës të disa monumenteve kulturore dhe objekteve fetare në qytetet e Focas , Visegradit dhe Zvornikut.

Disa prej këtyre monumenteve datojnë që nga Mesjeta. Vendimi e përshkruante një prej tyre, xhaminë Alidza në Foca, si “një perlë midis trashëgimisë kulturore në pjesën ballkanike të Europës”.

Sipas Andras Riedlmayer, një ekspert nga Universiteti i Harvardit i cili dëshmoi në shumë raste në ICTY, “shkalla e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore gjatë luftës në Bosnjë ishte e pashembullt” dhe vendet myslimane u goditën më shumë.

“Në zonat e Bosnjës dhe Hercegovinës nën kontrollin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës gjatë luftës, pothuajse të gjitha xhamitë u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë”, tha Riedlmayer për BIRN.

“Dëmi i dytë më i madh ishte ai ndaj trashëgimisë Katolike Romake. Në tërësi, rreth 350 kisha katolike dhe 30 manastire, dhe biblioteka të çmuara fetare u shkatërruan apo dëmtuan”, tha ai.

“Kisha ortodokse serbe gjithashtu pësoi dëme gjatë luftës në vendet e saj të shenjta në Bosnje dhe Hercegovinë. Në përgjithësi, rreth 100 kisha ortodokse tu shkatërruan ose pësuan dëme”, shtoi ai.

ICTY-ja dënoi gjithashtu gjashtë zyrtarë të Ushtrisë Serbe, policisë dhe zyrtarë shtetërore si përgjegjës për një fushatë dhune masive, përfshirë shkatërrimin e xhamive dhe objekteve tjera fetare, gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Riedlmayer tha se kishte prova në të gjitha konfliktet se objektet fetare ishin qëllimisht shënjestër sulmesh.

“Kjo ishte gjithashtu e dukshme në shkallë lokale – xhamitë apo kishat e shkatërruara shpesh ndodheshin midis ndërtesave të tjera, të cilat nuk ishin prekur. Përveç kësaj, si provë shërben edhe koha e shkatërrimit, e cila shpesh ka ndodhur pasi luftimi, nëse ka pasur ndonjë, ka mbaruar”, tha ai.

“Një shembull është Srebrenica, ku pesë xhamitë e qytetit ishin të gjitha ende në këmbë kur ajo ra në dorë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, por u shkatërruan në ditët pas rënies së qytetit,” shtoi ai.

Aktakuzat e ish-liderëve politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të cilët janë ende në gjykim ICTY, përfshijnë gjithashtu edhe shkatërrim të trashëgimisë, njësoj si edhe ajo e liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, i cili akuzohet ndër të tjera për shkatërrimin nga ndjekësit e tij të kishës katolike mesjetare.

Një element spastrimi etnik

Megjithatë, gjykatat kombëtare në vendet e ish-Jugosllavisë kanë dhënë vetëm disa vendime për shkatërrime të trashëgimisë kulturore gjatë kohës së luftës.

 

Kroacia ka ndjekur penalisht vetëm tre raste të tilla në gjykatat e qarkut.

“Dënimi më i fundit i tillë ishte ai ndaj Ranko Birac në qershor të vitit 2012 në Gjykatën e Qarkut të Zagrebit. Ai u dënua në mungesë me dy vjet burg për shkatërrimin e monumenteve kulturore dhe historike, të cilat mbrohen nga ligji ndërkombëtar”, tha për BIRN Jelena Djokic Jovic, monitorja e gjyqeve të krimeve të luftës për OJQ-në ‘Documenta’ me bazë në Zagreb.

Birac, një zyrtar lokal me autoritetet separatiste serbe të Kroacisë të kohës së luftës, u dënua për shkatërrimin e një kishe katolike në Glina në Kroacinë qendrore në vitin 1994. Djokic Jovic tha se ishte e rëndësishme që gjykata e interpretoi këtë si një krim kundër njerëzimit ose një mënyrë për kryerje spastrimi etnik duke fshirë kulturën e një grupi tjetër etnik.

Një tjetër rast përfshiu Goran Haxhiç, president i Republikës së vetëshpallur separatiste serbe të Krajinës, i cili u dënua nga Gjykata e Qarkut të Sibenikut me 20 vjet burg në mungesë në vitin 1995. Ai u dënua për krime lufte, duke përfshirë edhe shkatërrimin e kishës së Shën Martinit në Sibenik në vitin 1991.

Serbia ka ndjekur penalisht vetëm një rast të tillë – gjykimin që vazhdon ende të luftëtarëve serbë të Bosnjës për shkatërrimin e një xhamie në zonën e Zvornikut – ndërsa gjykatat e Kosovës nuk kanë kurrë penalisht dike për shkatërrimin e objekteve kulturore apo fetare si një krim lufte ose krim kundër njerëzimit.

Riedlmayer tha se shkatërrimi i vendeve kulturore ose fetare është një komponent kyç i spastrimit etnik.

“Shënjestrimi i një grupi (bazuar në karakteristikat e tij kulturore dhe fetare) dhe shkatërrimit sistematik i trashëgimisë së tij (bazuar në lidhjen që ka kjo trashëgimi me grupin e shënjestruar) janë të lidhura ngushtë”, tha ai.

Ndërsa politikanët në Ballkan kanë preferuar të heshtin në lidhje me krime të tilla, gjykatat lokale kanë mungesë ekspertize për t’i trajtuar ato, sugjeroi ai.

“Prokurorët dhe gjykatësit penalë kanë shumë përvojë në përballjen me prova për krime të tilla si vrasje, sulm apo krime të tjera kundër njeriut. Por ata zakonisht nuk kanë përvojë apo precedentë ligjore për t’i udhëzuar ata kur vjen puna te krimet kundër kulturës. Gjykata e Hagës ka shkelur në një terren të ri gjyqësor me këtë çështje, por mësimet deri më tani nuk janë mësuar”, shpjegoi ai.

Kosova dhe Serbia shkëmbejnë akuza

Përpara vendimit të UNESCO-s mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim, Beogradi dhe Prishtina kanë shkëmbyer akuza mbi faktin se cila prej tyre ka shkatërruar më shumë ndërtesa fetare të tjetrit.

Prishtina pretendon se Beogradi la pas shkatërrim total pasi forcat e tij u tërhoqën nga Kosova në vitin 1999, duke thënë se 40 për qind e 560 xhamive të Kosovës ishin dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës.

Ndërkohë Beogradi fajëson Prishtinën se nuk ka arritur të mbrojë trashëgiminë serbe dhe se ka bashkëpunuar në shkatërrimin e saj që nga lufta.

Disa nga kishat dhe manastiret më të rëndësishme ortodokse serbe ndodhen në Kosovë, duke përfshirë edhe kishat manastir të Deçanit dhe Graçanicës dhe kompleksi patriarkal në Pejë, të cilat janë në listën e UNESCO-s si Trashëgimi Botërore. Beogradi thotë se Kosova i bashkohet UNESCO-s, ato do të jenë në rrezik.

Trashëgimia e ICTY-së në ndjekjen penale të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore si një krim kundër njerëzimit mund të shërbejë si shembull për gjykatat e tjera ndërkombëtare që merren me sulme të ngjashme ndaj monumenteve të rëndësishme dhe objekteve fetare – si edhe si një pengesë e mundshme në të ardhmen.

Por deri më tani, shumica e gjykatave vendore në territoret e ish-Jugosllavisë duhet ende të ndjekin shembullin e saj. /BIRN/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/trashegimia-nen-flake-ndjekja-penale-e-krimeve-kulturore-gjate-luftes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala