Tranzicioni në bujqësi

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjatë shekullit të kaluar prodhimi bujqësor vjetor në nivel botëror është trefishuar. Kjo arritje e paprecedent në historinë e njerëzimit është bërë e mundur nga plehrat kimikë, pesticidet, herbicidet, hibride të reja kultivarësh, vaditja e tokave të thata dhe mekanizimi i bujqësisë.

Në qendër të të gjitha këtyre strategjive për rritjen e rendimentit bujqësor kanë qenë burimet fosile të energjisë, sidomos nafta dhe gazi natyror.

Gazi natyror shërben si burim energjie dhe hidrogjeni në prodhimin e plehrave kimikë.

Si gazi dhe nafta janë lëndë e parë për prodhimin e kimikateve të tjera që përdor bujqësia, përfshirë pesticidet dhe herbicidet.

Shumica e makinerive në bujqësi (përfshirë pompat e vaditjes) punojnë me naftë. Nafta ka bërë të mundur transportimin e materialeve të bujqësisë në distanca të largëta, në sasi të mëdha.

Sot ushqimet transportohen nga një cep i botës në tjetrin, nga vende ku prodhohet me bollëk, në vende ku ka nevojë për ushqime, duke mundësuar ngritjen e qyteteve në shkretëtira.

Përdorimi i burimeve fosile ka mundësuar rritjen e popullsisë botërore nga më pak se 2 miliard në fillim të shekullit të 20 në rreth 7 miliard njerëz sot.

Gjatë kësaj periudhe mënyra se si ushqehen njerëzit ka ndryshuar mjaft. Sidomos në vendet e industrializuara, sistemi i prodhimit dhe furnizimit me ushqime është bërë më i ndërlikuar dhe më i centralizuar.

Sot, në pjesën më të madhe të vendeve, fermerët përbëjnë një përqindje të vogël të popullsisë dhe punojnë një sipërfaqe të madhe toke. Zakonisht ata ja shesin prodhimin një tregtari ose fabrike, të cilët ja shesin produktin të paketuar shitësit me shumicë, i cili ja shet këto supermarketeve.

Konsumatori i ushqimeve është disa hallka larg prodhuesit të tyre dhe tregu i ushqimeve në shumë vende dominohet nga pak kompani ndërkombëtare farash, kompani prodhimi kimikatesh bujqësore, dhe uzina mekanike, si dhe shitës me shumicë ushqimesh, shpërndarës dhe supermarkete. Në SHBA, procesi i transportit të ushqimit nga ferma në shtëpi harxhon 4 herë më shumë energji se kultivimi, korrja e të mbjellave.

Sistemi i prodhimit dhe shpërndarjes së ushqimit në SHBA harxhon rreth 7.3 kalori për furnizimin e një kalorie ushqim.
Bujqësia kontribuon me më pak se 20% në energjinë e harxhuar për prodhim-furnizim, por gjithsesi harxhohet më shumë energji sesa furnizohet.

Proçesi i kultivimit është mekanizuar shumë. Makinat plugojnë tokën, mbjellin, korrin, ndajnë, përpunojnë dhe shpërndajnë ushqimet.

Eliminimi pothuajse i plotë i krahut të punës dhe i kafshëve të barrës ka ulur mjaft kostot e prodhimit dhe ka rritur rendimentin e krahut të punës-që do të thotë se ka nevojë për më pak fermerë në raport me popullsinë e përgjithshme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tranzicioni-ne-bujqesi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala