Trajkoviq flet me ton të ashpër ndaj Haradinajt dhe Qeverisë së Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

Një ndër gratë serbe më aktive në politikën e Kosovës dhe ish-deputete e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, në një intervistë për FoNet ka folur me tone të ashpra në drejtim të opozitës kosovare, me thekst të veçant tek kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe përkrahjes së tij nga Vetëvendosja. Ajo nuk ka lënë pa e përmendur edhe Qeverinë e Kosovës, duke thënë se është e korruptuar dhe e kriminalizuar thellë.

Trajkoviq ka thënë se Vetëvendosja e ka rritur dukshëm përkrahjen ndaj Ramush Haradinajt, pasi ka filluar lufta ndaj marrëveshjeve të Brukselit. Këtë gjë ajo e arsyeton me fuqinë politike dhe një fuqi tjetër të Haradinajt, transmeton Koha.net.

“Jemi mësuar me këtë fushatë dhe politikë të Vetëvendosjes, por që tani është më e shpeshtë, për shkak se ajo tash është në mbështetje të një njeri që ka fuqi politike dhe kontrollin mbi qarqet ekstreme në mesin e shqiptarëve”, ka thënë Trajkoviq duke u referuar tek Haradinaj.

Trajkoviq “nuk e di” se sa ndikon Haradinaj tek ngjarjet në teren kundër serbëve por “dëshiron të besoj” se lidhjet direkte nuk ekzistojnë, por konsideron që përgjegjësia e tij “definitivisht ekziston”, shkruan Fonet.

Ajo pret që Haradinaj t’i drejtohet shqiptarëve, që partia e tij është duke luftuar kundër një projekti të caktuar politikë dhe që nuk duhet të rezultojë në dhunë kundër serbëve.

“Në këtë kontekst, unë mendoj se ai është personalisht përgjegjës dhe dëshiroj që para të gjithash opozita shqiptare në Parlamentin e Kosovës sqarojnë këtë punë me pjesët e veta ekstreme dhe t’ua shpjegojë se serbët nuk duhet të jetë viktima “, ka thënë Trajkoviq.

Ajo thotë se janë kthyer armiqësitë mes shqiptarë dhe serbëve, duke i ftohur marrëdhëniet e që kjo gjë nuk sjellë asgjë të mirë sipas saj.

“Ja, edhe pas 16 vjetëve, as institucionet e as publiku shqiptar, për fat të keq nuk e janë përgatitur për pranimin e serbëve si qytetarë që kanë jetuar e kanë lindur këtu”, shtoi Trajkoviq.

Trajkoviq ka thënë se Beogradi ka treguar gatishmëri për kompromis dhe promovim të stabilitetit rajonal, por që shqiptarët e shohin si okupim dhe provokim, praninë e Beogradit në Kosovë.

Ajo çuditet me komunitetin ndërkombëtar se si bashkëpunon me Qeverinë e Kosovës, që ajo e quan të korruptuar dhe të kriminalizuar thellë. Ndërsa për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ajo ka thënë shkurt “Jo Kosova në Unesco”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/trajkoviq-flet-me-ton-te-ashper-ndaj-haradinajt-dhe-qeverise-se-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala