Trafiku urban, as rregull as GPS

Autori:Avdyl Pajaziti

Shpend Ahmeti e ka filluar vitin e dytë të mandatit të tij si kryetar i Prishtinës, por trafiku urban pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë, me gjithë premtimet e mëdha që ai kishte bërë gjatë fushatës për të parin e kryeqytetit.

Autobusët që qarkullojnë nëpër kryeqytet janë të njëjtit, të vjetruar e të papastër, ndërsa taksitë ilegalë, me ca vetura të shkatërruara, vetëm sa janë shtuar që prej ardhjes së tij në pushtet.

“Taksitë” vijnë të koordinuar, dy-tre, përpara autobusëve, dhe mbledhin udhëtarët nëpër stacione. Nuk i “ngacmon” askush, as policia e trafikut dhe as inspektorët komunalë, dhe ashtu pa leje pune, vazhdojnë t’i lënë autobusët të zbraztë, sidomos ata që mbajnë linjën Prishtinë-Fushë Kosovë dhe anasjelltas,transmeton lajmi.net.

Ahmeti, gjatë fushatës për kryetar të Prishtinës, kishte premtuar se me ardhjen e tij në pushtet do të bëjë tri lloje të linjave: linja e parë, ajo kryesorja, që është qendra e qytetit apo unaza; linja e dytë, apo niveli i dytë që i bie të lidhet me unazën qendrore; dhe linja e tretë – do të lidh lokacionet e ndryshme dhe ofron shërbime në ato lagje.

Madje, kryetari aktual i Prishtinës, kishte premtuar instalimin e sistemit përcjellës, GPS, në linjat kryesore, në mënyrë që qytetaret të dinë saktësisht se sa larg është autobusi i radhës nga stacioni në të cilin presin.

Autobusët, të rinj, kushtojnë shtrenjtë, edhe instalimi i sistemit GPS do pakëz punë, mirëpo qytetarët kanë shpresuar në vendosjen e njëfarë rregulli në trafikun urban të kryeqytetit, i cili ka vetëm 208 mijë banorë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/trafiku-urban-as-rregull-as-gps/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala