Italia dosje për rolin e Saimir Tahirit, ministri rrezikon fatin e Gjukanoviç

Autori:Gazeta Fjala

Ditë të zymta për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili nuk ka homolog në Evropë më të ekspozuar ndaj trafikut të drogës.

Pas çdo dalje, çdo dëshmie dhe raporti, pozitat e tij sa vijnë e rëndohen. Sa të jetë Edi Rama kryeministër, Saimir Tahiri mund t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare, por ministri i Brendshëm shqiptar tashmë është një shqetësim rajonal, evropian dhe ndërkombëtar.

Saimir Tahiri pritet të jetë objekt hetimi nga drejtësia italiane, nga e cila nuk ka kryeministër dhe kryeprokuror që e shpëton. Në shtetin fqinj po zhvillohen hetime intensive, ndërsa ka sinjale serioze rreth rolit të dyshimtë të ministrit në trafikun e drogës.

Ministri ka pranuar publikisht se makina e tij është përdorur për trafik droge, por ajsbergu i skandalit nuk është shfaqur i plotë. Po ashtu, ka akuza të forta, nga ish-shefi i anti-drogës, se edhe skafi i ministrit është përdorur për trafik droge drejt Italisë.

Nga hetimet e autoriteteve italiane pritet të dalin në skenë emrat e mjaft zyrtarëve shqiptarë, të cilët mbrojnë dhe drejtojnë trafikun e drogës.  Edhe nëse ndaj ministrit Tahiri nuk do të ngrihet ndonjë akuzë konkrete, nuk ka dyshim se roli i ministrit do të hetohet dhe qartësohet nga autoritetet italiane.

Akuzat 

Pak ditë më parë, mediat italiane i bënë jehonë akuzave të bëra nga ish-kreu i antidrogës në Fier, Dritan Zagani. Mediat kanë shfaqur dyshime për përfshirjen e vetë ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në trafikun e lëndëve narkotike.

Një tjetër goditje ndaj Tahirit dha edhe vetë Parlamenti Italian. Përmes një raporti mbi trafikun e drogës Shqipëri-Itali, Parlamenti shprehej se në vitin 2014 pati rreth 500 herë më shumë drogë të trafikuar në Itali nga vendi ynë. Bëhet fjalë për rreth 113 ton kanabis të trafikuara.

Pak ditë më parë, për këtë çështje foli dhe prokurori i antimafies në Leçe, Cataldo Motta, i cili deklaroi se trafiku i drogës Shqipëri-Itali është tepër aktiv. Madje, ai u shpreh se kohët e fundit ka filluar që të rritet dhe trafiku i armëve. Për shkak të rritjes së trafikut, duket se ka nisur dhe bërja gati e dosjes nga italianët.

Precedentët 

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nëse do të jetë objekt hetimi nga autoritetet italine, rrezikon të ketë fatin e kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç. Në vitin e tij 2010 ai u detyrua të jepte dorëheqjen, pasi ishte i akuzuar për përfshirje të drejtpërdrejtë në trafiqe dhe për bashkëpunime me bandat.

Në prag të dhënies së statusit kandidat Malit të Zi për integrimin në BE, ai u detyrua të jepte dorëheqjen. Për këto arsye, shumë vende nuk janë aspak në mbështetje të tij, i cili ka më shumë se dy dekada që dominon politikën malazeze.

Akuza të shumta ndaj tij pati edhe nga Italia. Një tjetër precedent është Fatmir Mediu, deputeti i Partisë Republikane. Në vitin 2002, ai është dënuar nga një gjykatë italiane me burgim për përkrahje të personave të inkriminuar. Në vendim thuhet se kreu i PR-së ka favorizuar Gazmend Mahmutajn, dënuar me dhjetë vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik droge, për të kaluar tranzit nga Shqipëria në Itali me emër të rremë (Raqi Gjoni).

Duket se dhe Tahiri shumë shpejt mund të rikthehet në qendër të vëmendjes, nëse autoritetet italiane zbulojnë nëse ai është i përfshirë në vepra kriminale. Nga ana tjetër mësohet se hetimet për sasitë gjigante të drogës shqiptare në Itali ecin me ritme intensive.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/trafiku-i-droges-italia-dosje-per-rolin-e-saimir-tahirit-ministri-rrezikon-fatin-e-gjukanovic/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala