Tmerr e kasaphane e pulave nëpër rrugët e Mitrovicës

Autori:Gazeta Fjala

Rrugët afër tregut të qytetit të Mitrovicës të shtunave shndërrohen në kasaphanë të pulave, ndërsa inspektorët shëtisin me automjetet e tyre përskaj këtyre rrugëve dhe bëhen sikur nuk shohin asgjë.

Xhelatët e pulave nuk zgjedhin hapësirë për ta ushtruar profesionin e tyre në këtë ditë, duke mos respektuar asnjë normë ligjore.

Ata prejnë pulat në rrugë me shumë pluhur, tym makinash e papastërti, ndërsa qytetarët janë të shqetësuar tej mase për një dukuri të tillë.

Qytetarët fajësojnë Komunën për heshtje dhe mosveprim ndaj kësaj dukurie, e cila siç thonë ata, paraqet rrezik të ndonjë infektimi.

Mustafë Arifi, qytetar nga Mitrovica, tha se prerja e pulave në këto kushte paraqet rrezik për qytetarët.

Sipas tij, fajin e ka Komuna e cila duhet të veprojë në mënyrë që kjo gjë të bëhet në një lokacion të përshtatshëm brenda tregut.

“Prerja e pulave nëpër rrugë dhe në këto kushte është jashtëzakonisht e rrezikshme për shëndetin e njeriut… Komuna i ka fajet, ajo duhet të ndërmarrë diçka, këta njerëz mos me i lënë pa punë, por me ua bërë një vend brenda në treg”, ka thënë Arifi.

Edhe qytetari tjetër Skender Peci, ka akuzuar Komunën, përkatësisht inspektoratin, për neglizhencë në punë, duke apeluar që prerja e pulave të bëhet brenda një lokacioni të caktuar dhe adekuat, e kurrsesi në rrugë dhe në këto kushte.

“Kjo mund të shkaktojë epidemi apo ndonjë sëmundje. Komuna duhet të gjej një vend për prerjen e pulave, e jo ajo të bëhet në rrugë”, tha Peci.

Ndërkaq, Fatmir Salihi, njëri nga prerësit e pulave, pranon se ai bashkë me shokët e tij kanë kërkuar nga Komuna një vend brenda tregut për ta ushtruar zanatin e tyre, por përveç fjalëve, asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete.

“Kjo nuk është në rregull qysh punojmë ne, por kemi kërkuar nga Komuna që t’na bëjë një vend brenda tregut, sepse kështu diçka nuk ka askund në botë përveç në Kosovë…jemi gjashtë anëtarë të familjes dhe me këtë punë e ushqej familjen…ne kemi kërkuar nga Komuna një vend brenda në pazar për të prerë, ne e pastrojmë vetë dhe e rregullojmë vendin, kishim paguar vetë, por ata nuk po duan, po na shtynë, herë një javë, dy, tre javë, po na gënjejnë”, theksoi mes tjerash Salihi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës në Mitrovicë, Hysni Syla, ka pranuar si të drejtë shqetësimin e qytetarëve për veprime të tilla nga persona të caktuar.

Sipas tij, Komuna po bënë përpjekje të vazhdueshme për të eliminuar një dukuri të tillë, por pa precizuar saktë kohën kur do të zgjidhet ky problem.

Ai bëri të ditur se inspektorët bashkë me pjesëtarët e policisë disa herë kanë larguar prerësit e pulave nga rrugët në afërsi të tregut, por ata sërish janë kthyer dhe kanë vazhduar punën e tyre.

“Inspektorët po angazhohen maksimalisht. Unë thash se ka pasur shumë herë aksione për largimin e prerësve të pulave nga aty ku janë duke ushtruar këtë veprimtari… Mirëpo janë vështirësitë buxhetore ato të cilat nuk lejojnë që problemi të zgjidhet tash… Megjithatë unë thash se është interesimi i inspekcionit, por edhe i kryetarit Bahtiri, i cili ka thënë se kjo dukuri duhet të evitohet”, sqaroi Syla.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tmerr-e-kasaphane-e-pulave-neper-rruget-e-mitrovices/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala