Tkurret ‘kalifati” i ISIS-it në Irak

Autori:Avdyl Pajaziti

Selia e Ministrisë së Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Pentagoni, ka njoftuar se organizata terroriste “Shteti Islamik” përditë e më shumë është duke humbur kontrollin e territoreve në Irak.

Zëdhënësi i Pentagonit, Steve Warren, ka thënë se “Shteti Islamik  e ka humbur kontrollin e rreth 17 mijë kilometrave katrorë në Irak, pas disa muajve të sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, dhe ofensivës së fundit të ndërmarrë nga forcat irakiane, që kulmoi me çlirimin e qytetit Tikrit.

“Grupi ekstremist ngadalë po zmbrapset, por megjithëkëtë militantët kanë nën kontroll ende një territor të gjerë që shtrihet nga perëndimi dhe jugu i Sinjarit e deri në lindje të Mosulit, qytetin e dytë për nga madhësia në Irak”, ka thënë koloneli Warren, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Sipas Pentagonit ndryshime më të vogla janë vërejtur në Siri, ku “Shteti Islamik” po ashtu ka nën kontroll një pjesë së konsiderueshme të territorit të këtij vendi, që është futur në luftë civile qysh në vitin 2011.

Organizata “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS), që pas pushtimit të territoreve vitin e kaluar shpalli kalifatin e tij në këto dy shtete, të quajtur “Shteti Islamik”, vazhdon të mbajë edhe më tutje ndikimin në Siri.

Koloneli Warren ka thënë “Shteti Islamik” ka humbur territore përreth qytetit sirian të populluar me kurdë, Kobani, por sipas tij, militantët kanë fituar terren rreth qytetit Homs dhe kryeqytetit sirian, Damask.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tkurret-kalifati-i-isis-it-ne-irak/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala