Titujt e rinj në Panairin e Librit në Tiranë

Autori:Gazeta Fjala

Ndër botimet e reja që u prezantuan në Panairin e Librit janë: “Në flakët e Izmirit” nga autori grek Dinos Koubatis dhe “E bukura e të zotit” nga francezi Albert Cohen.

Në qendër të romanit “Në flaket e Izmirit, ku imagjinata gërshetohet me historinë, është shkatërrimi i Izmirit në vitet 1922-1923 dhe kthimi i grekëve që jetonin qytetin turk, në atdheun e tyre. Rrëfimtari është një gjysh, i cili u tregon historinë mbesave dhe nipërve, me qëllimin për të përçuar kujtesën nga një brez tek tjetri.

“Libri është i ndarë në dy pjesë, në ngjarjet historike dhe në atë të fantazisë sime. Këto dy gjëra ndërthuren me njëra-tjetrën dhe japin një përfundim sa historik dhe letrar. Mesazhi që përcillet, është se lufta sjell shumë të këqija. Kjo vlen dhe për kohët e sotme. Do të ishte shumë mirë, nëse ato nuk do të ekzistonin, pasi njerëzit do të jetonin në harmoni dhe dashuri me njëri-tjetrin”, thotë Dinos Koubatis, autor i librit “Në flakët e Izmirit”.

Romani “E bukura e të zotit”, nga Albert Cohen, trajton pasionin e një dashurie, duke prekur ekstremet e fshehura të shpirtit e duke analizuar marrëzinë në të gjitha format e saj.

“Nga Nju Jork Tajms është cilësuar autori i këtij libri si kuintesenca e Xhojsit, Korduellit dhe Rablesë, e mbështjellë me magjinë e 1001 netëve”, thotë Irena Toçi, botuese.

“Ky njeri ka ditur aq mirë të përshkruajë natyrën njerëzore, momente të caktuara të jetës së njerëzve se si i marrin këto vendime. Për mua bën pjesë tek ata libra që krijojnë një njeri,krijojnë bindje dhe mënyrën e të parit të jetës”, rrëfen përkthyesja Amantia Kapo./TCH/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/titujt-e-rinj-ne-panairin-e-librit-ne-tirane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala