Tirana në shënjestrën e ISIS-it

Që prej sulmeve terroriste të një jave më parë në Paris, edhe Policia Shqiptare kishte kaluar në gatishmëri, me shërbime të përforcuara, por dje masat dukeshin më serioze dhe jo formale si disa ditë më parë.
Sipas gazetës “Panorama”, këto informacione u përforcuan edhe më shumë nga një shkresë e Ambasadës Amerikane në adresë të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka bërë që niveli i sigurisë në territorin shqiptar të kalonte në atë më të lartë, që në termat policor konsiderohet “alarm i kuq”, nga “i gjelbër” që ishte më parë.
Ndonëse selia diplomatike e SHBA në Tiranë, i referohej zyrtarisht vetëm një shkrimi të botuar të mërkurën në një të përditshme ruse në Moskë, ku theksohej me germa të mëdha, “Radhën e ka Roma dhe Tirana”, informacionet jo zyrtare kishin një referencë më të besueshme se kaq.
Një tjetër arsye për këtë alarm, ka qenë edhe sulmi terrorist i të mërkurës mbrëma në Bosnje, ku dy ushtarë u vranë dhe 5 persona u plagosën në një dyqan bastesh në periferi të Sarajevës.
Të gjitha këto, shtynë Tahirin të urdhëronte marrjen e të gjitha masave, me qëllim parandalimin e çdo rasti të dyshuar si akt terrorist. Në urdhrin e tij, Ministri ka specifikuar se në çdo dy punonjës Policie që patrullojnë apo janë të pozicionuar në një vend, njëri detyrimisht duhet të jetë i armatosur me automatik.