Tirana blindohet tre orë për Kerryn

Autori:Avdyl Pajaziti

Vizita treorëshe e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry në Tiranë, ditën e diel, pritet të shoqërohet me masa të forta sigurie. Që pas uljes së avionit të tij në Aeroportin e Rinasit rreth orës 9 të mëngjesit, ku do të pritet nga kreu i shtetit Bujar Nishani, disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit do të bllokohen deri në përfundimin e vizitës.

Policia e Tiranës mësohet se ka marrë masa shtesë të një niveli maksimal, për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së zyrtarit të lartë amerikan. Duke nisur që nga Qafë-Kashari, në vijim, pjesa e autostradës Tiranë-Durres, segmenti i Laprakës, Rruga e Durrësit dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit do të bllokohen plotësisht si për mjetet ashtu edhe për këmbësorët.

Po në keto akse nuk do te lejohet parkimi i makinave, ndërsa burime nga policia bëjnë me dije se do të devijohet trafiku edhe për mjetet e transportit publik. Po ashtu të gjitha rrugët do të patrullohen në të dyja krahët nga qindra efektivë të Policisë së Tiranës dhe Gardës së Republikës.

Ashtu si në vizitat e zyrtarëve të lartë të kohëve të fundit, si kancelarja Merkel apo kryeministri serb Vuçiç, eskorta e sekretarit Kerry pritet të shoqërohet nga Rinasi drejt kryeqytetit nga nje helikopter i ushtrisë, i cili do të monitorojë situatën nga ajri.

Gjithsesi policia e Tiranës pritet të bëjë publike ditën e shtunë planin e detajuar të masave të sigurisë që sipas informacioneve, është i nivelit të vitit 2007, kur Shqipërinë e vizitoi presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush.

Sekretari i Shtetit do te takohet me kryeministrin Rama ne selinë e Qeverisë dhe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha pak metra më tutje, në Hotel Rogner, raporton Top Channel.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tirana-blindohet-tre-ore-per-kerryn/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala