Themelohet rrjeti i bizneseve në Norvegji

Autori:Avdyl Pajaziti

Pas Rrjetit të bizneseve shqiptare në Suedi, Ministria e Diasporës dhe Rrjeti i bizneseve të diasporës shqiptare e vazhduan procesin e krijimit të rrjetit të bizneseve shqiptare edhe në Norvegji.

Para krijimit të rrjetit, u mbajt një takim parapërgatitor me përfaqësuesit e bizneseve shqiptare në Norvegji, si dhe u vizituan bizneset më të suksesshme në Oslo dhe në rrethinën e saj, si: “Istogu Hustenger”, “Rema 1000”, “Soli Renhold Vedlikehold AS”, “Top Maler Bygg LTD”.

Konstatimi i nxjerrë nga këto takime, ku u diskutua për sfidat dhe sukseset e tyre, si dhe për rëndësinë e komunikimit midis tyre, ishte se mekanizmi më i përshtatshëm është rrjetëzimi.
Kështu, më 1 tetor, në Oslo, u mbajt Forumi për themelimin e Rrjetit të bizneseve shqiptare në Norvegji.

Në këtë forum ishte i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i MeD-së, Osman Shahini, i cili theksoi se e përkrah këtë projekt madhor. Ai i informoi të pranishmit edhe për rëndësinë e regjistrit të diasporës.
Naim Dedushaj, drejtor i Departamentit të Investimeve të Diasporës, nikoqir i projektit, foli rreth projektit, qëllimi i të cilit është përafrimi i bizneseve dhe i biznesmenëve shqiptarë në botë dhe bashkëpunimi mes tyre që, nëpërmjet projekteve të përbashkëta, të investojnë në trojet shqiptare. Gjithashtu, ai potencoi rëndësinë që kanë këto rrjete, rezultatet e rrjetëzimit në 18 shtete të botës, etj.

Në anën tjetër, Besian Mustafa, drejtor i përgjithshëm i KIESA-s, i njoftoi afaristët e pranishëm rreth pakos së re fiskale.

Po ashtu, në forum ishin të pranishëm edhe kryetari i Rrjetit të bizneseve në Finlandë, z.Omer Nura, kryetarja e posazgjedhur Saranda Iseni dhe përfaqësuesit e projektit DEED , të UNDP-së dhe ata të IOM-it.

Në fund të forumit, u zgjodh edhe kryesia prej 11 anëtarësh. Kryetar u zgjodh Korab Thaqi, nënkryetarë Albin Istogu dhe Agim Thaqi, sekretare Liridona Gashi, dhe arkëtar Habil Kaloshi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/themelohet-rrjeti-i-bizneseve-ne-norvegji/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala