Thaçi: “Veprimet e opozitës si të milicisë serbe”

Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, duke komentuar zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, thotë se ato i ngjajnë veprimeve të milicisë serbe të viteve 90’.
Vetëm pak orë pasi ka dalë me një fitore nga godina e UNESKO-s, në Sheshin “Fontenoy” të Parisit, Hashim Thaçi ndihet ndoshta më i qetë për të komentuar zhvillimet politike në Kosovë. Zhvillime që nuk janë aspak të qeta prej disa javësh, por që përbëjnë edhe një sfidë për klasën politike dhe vetë shtetin ende të ri të Kosovës. Ish-luftëtari i dikurshëm, i cili tashmë udhëton drejt Parisit, jo për të firmosur marrëveshje për t’u dhënë fund luftrave, por për ta përfshirë Kosovën në një organizatë ndërkombëtare për arsimin, shkencën e kulturën, e fton “Vetëvendosje”-n të rishikojë qëndrimin e saj.
Për numrin dy të qeverisë dhe kreun e diplomacisë, Lëvizja që hedh gaz lotsjellës në Kuvend, ndoshta bën mirë të rikthehet në një shoqatë joqeveritare.
Në intervistën e tij për “Shekullin”, zv.kryeministri i Kosovës shpjegon në mënyrë të detajuar bazën kushtetuese e ligjore të marrëveshjes me serbët dhe ndarjen e kufirit me Malin e Zi, pa lënë mënjanë Kombëtaren e futbollit: “Në Prishtinë, Kombëtarja është në shtëpinë e saj”.