Thaçi: UÇK-ja, projekti më i madh i kombit

Autori:Avdyl Pajaziti

Teksa ka thënë se po flet në emër të të parit të partisë më të madhe në vend e jo në emër të Qeverisë ku është zëvendëskryeministër, lideri i PDK-së Hashim Thaçi ka thënë se secili është i vetëdijshëm për përgjegjësitë që duhet marrë për të ardhmen.

“Secili mund të rrëfejmë atë se çka ka ndodhur në Kosovës, si ka ndodhur dhe kush e ka bërë. Shumica e rrëfimeve që u treguan këtu janë jo të panjohura për opinionin, dhe në të njëjtën kohë janë rrëqethëse për atë që ka bërë Serbia këtu, deri në përmasa të gjenocidit”, ka thënë Thaçi.

“Fillimi i rezistencës së armatosur, që në fillim të viteve ’90 ka qenë projekti më serioz, më i vështirë, më i rrezikshëm dhe natyrisht më i sakrifikueshmi. Sot e keni e lehtë të flisni. Ajo sakrificë që ka ndodhur në Kosovë duhet të na bëjë më të ndërgjegjshëm në vendimmarrjet tona”, ka thënë më tej ai.

Thaçi ka thënë se projekti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është projekti më madhor i kombit, projekti që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Nuk ka forcë që mund ta njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por në të njëjtën kohë nuk ka forcë që do të prish orientimin e miqësisë me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

“Ai megapatriot,(flet për Albin Kurtin), parafolësi im, që thoshte Konferenca e Rambujesë duhet shtyhet, thoshin se u shkatërrua UÇK-ja kur e nënshkruam transformimin e saj. Unë sot qëndroj fuqishëm prapa vendimeve të mia që e sollën Kosovën këtu ku është sot”.

“Ajo që ka bërë Serbia në Kosovë, është e njohur për opinionin publik, dhe është rrëqethëse dhe e trishtueshme. Secili prej nesh e dimë se Serbia ka atakuar gjithmonë përpjekjet tona për pavarësi. Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi dhe për vendimet që duhet t’i marrim”.

“Kjo periudhe e 16 vjetëve të fundit nuk ka qenë e lehtë dhe ka qenë tranzicion rraskapitës”.

“Askush të mos mendojë se ka qenë e lehtë të organizohet një mosbindje qytetare kundër Serbisë dhe rezistencë e armatosur kundër saj”, tha Thaçi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-uck-ja-projekti-me-i-madh-i-kombit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala