Thaçi: Qytetarët s’e meritojnë këtë opozitë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se një numër i marrëveshjeve ndërkombëtare, ndër të cilat edhe asistencë për Kosovën, janë duke rrezikuar të humbin për shkak se po vonojnë të miratohen në Kuvendin e Kosovës.
Thaçi ka sqaruar se është fjala për projekte për të përmirësuar furnizimin me ujë në rajonin e Vushtrrisë dhe Mitrovicës, një milion euro për shëndetësinë kosovare, milionë të tjerë në formë të asistencës ndërkombëtare për projekte në fushën e sundimit të ligjit dhe qeverisjes apo për rritjen e investimeve dhe për sektorin privat.
“Cenimi i institucioneve të Kosovës nga ana e opozitës ka filluar të gërryejë imazhin tonë pozitiv që me aq mund po e ndërtojmë. Një numër i marrëveshjeve ndërkombëtare, ndër të cilat edhe asistencë ndërkombëtare për Kosovën, janë duke rrezikuar të humbin për shkak se po vonojnë të miratohen në Kuvendin e Kosovës. Është fjala për projekte për të përmirësuar furnizimin me ujë në rajonin e Vushtrrisë e më gjerë, një milion euro për shëndetësinë kosovare, milionë të tjerë në formë të asistencës ndërkombëtare për projekte në fushën e sundimit të ligjit dhe qeverisjes apo për rritjen e investimeve dhe për sektorin privat”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Sipas Thaçit, pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës më së shumti po prek vetë qytetarët e Kosovës, mirëqenien dhe të ardhmen e tyre. “Qytetarët e Kosovës nuk meritojnë një opozitë të tillë”, ka shkruar Thaçi.