Thaçi përkrah demarkacionin: Kosova nuk ka humbur tokë

Dy ditë para debatit shkencor për demarkacionin, kryetari i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se ky “debat i është mohuar padrejtësisht qytetarëve të Kosovës tash e një vit”. Por, edhe ai, ka përsëritur se “referencat faktike dhe juridike tregojnë qartazi se me këtë marrëveshje Republika e Kosovës nuk humb asnjë pëllëmbë të territorit të saj”, transmeton Koha.net.
Kryetari i Kosovës hashim Thaçi në facebook sot ka shkruar për debatin shkencor që do të zhvillohet të mërkurën për demarkacionin, tashmë të nënshkruar, ndërmjet Kosovës e Malit të Zi.
“Debati rreth kufijve të Republikës së Kosovës me Malin e Zi është një temë e nevojshme për rritje të transparencës para qytetarëve, debat ky që i është mohuar padrejtësisht qytetarëve të Kosovës tash e një vit”, ka shkruar Thaçi.
Në vazhdim Thaçi ka thënë: Ftoj dhe besoj që ky debat të sjellë më tepër unitet politik dhe qytetar. Çështja e demarkacionit si problem nuk ekziston. Përcaktimi i kufijve është një nga kriteret e shtetësisë dhe është çështje e rëndësisë së veçantë për integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës duhet të përmbushë këtë kriter dhe të bëjë përkufizim të qartë të territoreve të saj me të gjitha vendet me të cilat kufizohet”.
Kryetari Thaçi , sikur dhe kryeministri Mustafa, është i sigurt se Kosova nuk ka humbur asnjë pëllëmbë tokë: “ Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore ka përfunduar punën e shënjimit të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me Malin e Zi. Kjo ka rezultuar me nënshkrimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi vitin e kaluar. Të gjitha referencat faktike dhe juridike tregojnë qartazi se me këtë marrëveshje Republika e Kosovës nuk humb asnjë pëllëmbë të territorit të saj. Burimi i dokumentacionit është në vazhdimësi dhe zyrtar nga viti 1974, 1988, 2008 e deri më 2015.
Thaçi në fund ka theksuar se “ratifikimi i marrëveshjes së kufirit shtetëror mes dy vendeve tona është ne interesin e dy vendeve dhe popujve tanë, të fqinjësisë së mirë, frymës euroatlantike, si dhe është jetik për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Hashim Thaçi, si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, bashkë me Skënder Hysenin, më 25 gusht 2015 kanë nënshkruar në emër të Kosovës, Marrëveshjen për Demarkacionin m Malin e Zi.