Thaçi optimist se të hënën do të arrihen marrëveshjet me Serbinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Punëve të Jashtëm të Kosovës Hashim Thaçi, pas bisedimeve me palën serbe, pohon se takimi i fundit në Bruksel nuk ka dështuar. Ai është optimist se të hënën do të arrihen marrëveshje për shumë çështje.
Sipas Thaçit, takimi i fundit në Bruksel ka qenë “një takim shumë intensiv dhe jashtëzakonisht dinamik”.

“Ka pasur një debat shumë të gjallë për katër-pesë çështje shumë të rëndësishme për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Ne kemi diskutuar dhe kemi shënuar një progres sa i përket formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe integrimit deri në fund të serbëve në institucionet e Kosovës”, tha ministri Thaçi në një intervistë për DW.

Ky asociacion, shtoi Thaçi, do të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në vitin 2013 për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi si dhe në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës për vetëqeverisjen e komunave.

“Të gjitha do të rregullohen mbi bazën e ligjeve të Kosovës. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë legjislative apo ekzekutive. Por do të krijohen mundësi dhe rrethana që ky asociacion, sikur edhe asociacioni i komunave të tjera të Kosovës, të merret me koordinimin e angazhimeve ndër-komunale sa i përket edukimit, ujësjellësit, ndërtimit të ndonjë rruge, ndonjë shkolle apo aktivitete të tjera. Kemi biseduar natyrisht edhe për disa çështje të tjera shumë me rëndësi për Kosovën”, tha ai.

Në konstatimin se asociacioni i komunave me shumicë serbe, ka krijuar shqetësime se në këtë mënyrë mund të krijohet një Republikë ‘Srpska’ e re, Thaçi u shpreh se “definitivisht është evituar dhe nuk ka ndonjë pretendim që një gjë e tillë të realizohet. Asociacioni do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve evropiane”.

Por se a do të ketë asociacioni të drejta ekzekutive, Thaçi ritheksoi se “asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë karakter legjislativ dhe as ekzekutiv. Do të regjistrohet në Kosovë dhe do të funksionojë sipas standardeve të cilat lejohen me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

Ndërsa lidhur me telekomunikacionin dhe energjinë, ai tha se në këto çështje është shënuar progres dhe ka pasur vullnet të dyanshëm që këto çështje të mbyllen sa më shpejt që është e mundur – si telekomunikacioni ashtu edhe energjia.

“Janë shënuar përparime edhe në çështjet e tjera që janë paraparë të trajtohen në agjendën e takimeve, në veçanti kur bëhet fjalë për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por kanë mbetur të diskutohen edhe çështjet teknike dhe besoj se të hënën e ardhshme, në takimin e nivelit më të lartë, do të përmbyllen këto angazhime të përbashkëta”.

Sa i përket urës mbi lumin Ibër apo i ashtuquajturi “parku i paqes” , Thaçi tha se ka mbetur që kjo çështje të diskutohet edhe në ditët e ardhshme, duke u shprehur optimist se shumë shpejt do të rregullohet edhe kjo çështje dhe njerëzit do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm mbi këtë urë dhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Lidhur me deklaratën e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Beogradi nuk do të pranojë që Kosova të ketë kodin e saj telefonik, Thaçi theksoi se kjo “çështje është punë e përmbyllur”.

“Kosova do të ketë kodin e saj telefonik. Aktualisht jemi duke biseduar dhe duke u konsultuar edhe me vendet e treta, të cilët mund të ndihmojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Jemi duke biseduar në veçanti me Austrinë dhe disa vende të tjera. Serbia nuk mund të vendosë për këtë çështje. Këtë e vendosin institucionet e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Evropian”.

Ministri Thaçi tha se pret me optimizëm ditën e hënë që të finalizohet dhe realizohet marrëveshja për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po ashtu pret që të arrihen marrëveshje edhe për telekomin, energjinë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve mbi lumin Ibër.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-optimist-se-te-henen-do-te-arrihen-marreveshjet-me-serbine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala