Thaçi: Nuk kisha menduar që një ditë do të luaj futboll me Vuçiqin

Autori:Gazeta Fjala

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen vjeneze “Die Presse”, i pyetur se nëse gjatë konfliktit në Kosovë ka mundur ta imagjinojë se një ditë do të ketë bisedime me Aleksandar Vuçiqin dhe Ivica Daçiq, ka thënë se atëherë bisedimet ishin të paimagjinueshme.

“Kurrë nuk kisha menduar që një ditë do të luaj në të njëjtin ekip të futbollit, siç edhe ishte rasti i Samtit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë”, ka shtuar Thaçi.Thaçi, ka deklaruar se kryeministri serb ka pasur një rol konstruktiv në përfundimin e marrëveshjeve të fundit midis Prishtinës dhe Beogradit.

Gjatë kësaj interviste, Thaçi ka theksuar se marrëveshjet e fundit janë në interes të Prishtinës dhe Beogradit, dhe se i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve dhe përshpejtojnë procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë.

Në të njëjtën kohë, ka vlerësuar se “Serbia de fakto tashmë e ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur”.

“Beogradi, çdo ditë është duke ndërmarrë hapa shtesë që po e qojnë gjithnjë e më afër njohjes formale të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Në lidhje me Gjykatën Speciale, Thaçi ka theksuar se krijimi i tij ishte një detyrë shumë e ndërlikuar, dhe se vendimi nuk ishte i lehtë.

Sipas tij, ky ka qenë një detyrim ndërkombëtar i Kosovës, edhe pse jo lehtë i pranueshëm por ishte një vendim i drejtë.

I pyetur nëse frikësohet se ndonjë nga anëtarët e partisë së tij do të jenë shënjestër e gjykatës, Thaçi është përgjigjur duke thënë se nuk bëhet fjalë për individë, por për një proces që ofron mundësi.

“Duhet të jemi të kujdesshëm për atë se çfarë do të fitojë vendi. Nuk do të duhej tani të diskutojmë për emra. Vendimi i Kosovës që të krijohet gjykata ndërkombëtare ka dëshmuar pjekuri”, ka shtuar lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, transmeton Express.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-nuk-kisha-menduar-qe-nje-dite-do-te-luaj-futboll-me-vuciqin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala