Thaçi: “Nëse nuk votohet Gjykata Speciale, vendi shkon në zgjedhje”

Autori:Avdyl Pajaziti

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës po bënë përpjekje të vazhdueshme dhe me çdo kusht që ta kaloj Gjykatën Speciale, e cila sot nga ora 10:00 pritet të dalë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Gazeta Blic nga burime të saja brenda PDK-së, ka marrë vesh që Hashim Thaçi u ka thënë deputetëve të partisë së tij, që nëse edhe sot nuk e votojnë amendamentin kushtetues, i cili i hap rrugë Gjykatës Speciale, atëherë do të dëmtohet e gjithë Partia Demokratike e Kosovës.

“Nëse e doni fundin e PDK-së mos e votoni Gjykatën Speciale. Si me Gjykatë, si pa Gjykatë, në momentin që ne nuk jemi në pushtet, do të jemi cak i aktakuzave të pushteteve që vijnë”, ka cituar ky burim fjalët e Hashim Thaçit.

Sipas këtij burimi, në një moment Hashim Thaçi është “nxehur” tej mase, saqë i ka kërcënuar deputetët që votojnë kundër edhe me mos futje në listën zgjedhore.

“Nëse nuk votohet Gjykata Speciale, vendi shkon në zgjedhje dhe krejt faji në sy të ndërkombëtarëve është tek PDK dhe ne si parti e humbim primatin e partisë më të madhe në vend. LDK po shihet në pozitë më favorizuese tek ndërkombëtarët për shkak të unitetit që ka brenda saj për shkak të Gjykatës Speciale”, ka cituar ky burim brenda PDK-së, fjalët e Hashim Thaçit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-nese-nuk-votohet-gjykata-speciale-vendi-shkon-ne-zgjedhje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala