Thaçi në Luksemburg: Jemi të gatshëm t’i pranojmë rreth pesëqind refugjatë

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi në konferencën e Luksemburgut ka thënë se Kosova është e gatshme t’i pranojë rreth pesëqind refugjatë.

Ai tha se Kosova e kupton shumë mirë çfarë do të thotë të jesh refugjat, por edhe rëndësinë e gjetjes së solidaritet, kujdesit dhe zgjidhjes së krizës.

“Si qytetar i Kosovës, ne e kujtojmë fare mirë se çfarë do të thotë të jesh refugjat, por edhe rëndësinë e gjetjes së solidaritetit, kujdesit dhe zgjidhjes ndaj krizës. Mikpritja evropiane shpëtoi kombin tim dhe për këtë ne do të jemi gjithmonë mirënjohës. Sot, Evropa po përballet me një valë të re refugjatësh. Ne duhet të veprojmë se bashku dhe të përgjigjemi duke dëshmuar edhe një herë solidaritet dhe kujdes, por edhe të kërkojmë zgjidhje për konfliktet që po prodhojnë mijëra refugjatë”, tha Thaçi.
Ai tha se edhe Kosova ishte vend origjine i refugjatëve, por jo më.

“Ne u përballëm me një valë të migrimit në fillim të këtij viti, por ishim të suksesshëm në ndalimin saj. Një fushatë informimi nga Qeveria bëri që qytetarët të kuptojnë se kosovarët nuk do të pranohen si emigrantë në Evropë. Paralelisht, mekanizmat e zbatimit të ligjit arrestuan trafikantë të qenieve njerëzore. Kosova po jep rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh ndër të tjera, Thaçi.

Zëvendëskryeministri më tej u shpreh se si rezultat i këtyre masave, fluksi i refugjatëve nga Kosova ka rënë në mënyrë drastike që nga marsi.

“Ne tani po kalojmë në procesin e kthimit të këtyre qytetarëve të Kosovës. Sipas EUROSTAT-it, ne tashmë kemi kthyer më shumë se pesëmbëdhjetë mijë qytetarë. Vala aktuale e refugjatëve nga Lindja e Mesme nuk po kalon përmes Kosovës. Ne e dimë se rrugët ndryshojnë dhe ne po i ndjekim gjërat nga afër dhe po përgatitemi për çfarëdo zhvillimesh. Kosova dëshiron të jetë pjesë e projekteve për t’u marrë me këtë sfidë të re ”, tha Thaçi.

Ministri i Punëve të Jashtme u shpreh se kjo është arsyeja pse shteti i Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të marrë rreth pesëqind refugjatë nëse është e nevojshme.

“Si pjesë e përpjekjeve tona për të kontribuar në sigurinë në kontinentin tonë, po bashkëpunojmë ngushtë me shtetet e rajonit, Evropës dhe më gjerë. Por, Kosova duhet të jetë gjithashtu anëtare e organizatave të sigurisë, të tilla si INTERPOL, dhe të sigurojmë bashkëpunimin me EUROPOL-in”, tha ministri i Jashtëm.

Thaçi tha se Kosova është pjesëtare aktive e Koalicionit Global në luftën kundër ekstremizmit.

“Kosova po merr rolin e saj si pjesëtare aktive e bashkësisë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare duhet gjithashtu të pranojë Kosovën si anëtare aktive të saj dhe Bashkimi Evropian duhet të na mbështes duke hequr regjimin e vizave, bazuar në përmbushjen e kritereve”, u shpreh zëvendëskryeministri.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ishte në mesin e liderëve evropianë që morën pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë për Mesdheun Lindor / Ballkanin Perëndimor në Luksemburg. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-ne-luksemburg-jemi-te-gatshem-ti-pranojme-rreth-peseqind-refugjate/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala