Thaçi në festën e 100-vjetorit të Betejës së Çanakkalasë

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Turqi, ku do të marrë pjesë në shënimin e 100-vjetorit të Betejës së Çanakkalasë.

Zëvendëskryeministri Thaçi do të jetë në mesin e presidentëve dhe ministrave të shteteve nga e gjithë bota. Nikoqir i ceremonive do të jetë presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa pjesë e tyre do të jenë edhe kryeministrat nga Australia dhe Zelanda e Re, si dhe liderë nga shumë shtete të tjera. Në qytetin-port të Çanakkalasë, zëvendëskryeministri Thaçi do të merr pjesë në ceremoninë në Monumentin e Mehmetçikut, i cili i kushtohet ushtarit turk për të cilin thuhet se kishte shpëtuar një ushtar britanik gjatë Betejës së Çanakkalasë. Më pas, ai do të jetë i pranishëm edhe në ceremoninë në Monumentin Helles, i cili njëherësh i kushtohet betejës së Komonuellthit përgjatë gjithë Betejës së Çanakkalasë dhe shërben si vend i përkujtimit të shumë ushtarakëve të Komonuelthit që kanë vdekur atje, por që nuk u dihen varret.

Beteja e Çanakkalasë ishte një nga betejat më të ashpra të Luftës së Parë Botërore, e cila u zhvillua në Gadishullin Gelibolu në Perandorinë Osmane në mes 25 prillit 1915 dhe 9 janarit 1916. Data e zbarkimit, 25 prilli, njihet edhe si “Dita e Anzakëve” që shënon përkujtimin më të rëndësishëm të viktimave ushtarake të Australisë dhe Zelandës së Re.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-ne-festen-e-100-vjetorit-te-betejes-se-canakkalase/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala