Thaçi: Lufta e Serbisë, fashizëm i pastër

Rezistencën e shqiptarëve dhe luftën e UÇK-së, zëvendëskryeministri Thaçi në KS të OKB-së e ka krahasuar edhe me rezistencën e Davidit që luftonte Goliatin. “Nuk ka kosovarë, përfshirë këtu edhe veten time, i cili do të qëndrojë duarkryq dhe të lejojë që gjykata jonë speciale të barazojë veprimet gjenocidale të Sllobodan Millosheviqit, ish-Presidentit të Serbisë, me veprimet e dëshpëruara e kriminale të individëve të komunitetit të shtypur, të kryera gjatë ose pas luftës. Lufta e Serbisë kundër Kosovës është bërë me përfshirjen e ushtrisë, policisë dhe njësiteve paraushtarake dhe është mbështetur edhe nga intelektualët serbë. Thjesht dhe qartë kjo luftë e Serbisë ishte një fashizëm i pastër”, tha Thaçi në KS të OKB-së.
“Ne në Kosovë nuk do të lejojmë që historia jonë të rishkruhet për të turbulluar dallimin në mes të shtypësit dhe të shtypurit. Ne do të mbrojmë trashëgiminë e luftës sonë, lirinë e Kosovës dhe pavarësinë tonë”, shtoi ai.
Pëlqimi për krijimin e Gjykatës Speciale, sipas Thaçit, është dhënë për krijimin e një instrumenti që është shumë më i besueshëm se çdo gjykim tjetër i mbajtur në gjykatat e të gjitha vendeve të Ballkanit.