Thaçi: Ky është viti i Evropës për Kosovën

Autori:Zekirja Shabani

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës ishte në mesin e panelistëve kryesorë për zgjerim dhe ndërlidhje në konferencën për bashkëpunim dhe zgjerim në Ballkanin Perëndimor, e cila u mbajt në Bruksel në kuadër të “Ditës së Bashkëpunimit Rajonal”.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Thaçi tha se takimet e tilla si ky i sotmi përbëjnë mekanizma të rëndësishëm që ndihmojnë në përmirësimin e komunikimit midis shteteve të rajonit dhe se nismat rajonale sikur kjo e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) po dëshmohen si mjete të çmueshme.

“Komunikimi ynë i avancuar do të shërbejë edhe për përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe me pjesën tjetër të botës. Vendet e Ballkanit Perëndimor tani i janë kthyer së ardhmes, ku kryefjalë do të jenë bashkëpunimi dhe bashkimi në NATO dhe në Bashkim Evropian”, ka theksuar Thaçi.

Duke veçuar projektet e prezantuara në konferencën e mbajtur në Prishtinë, përfshirë ndërtimin e Rrjetit Bazë të rrugëve, autostradave, hekurudhave dhe investimeve në sektorin e ujit, Thaçi ka thënë se projektet e nisura në samitin e Berlinit në vitin e kaluar janë të një rëndësie kyçe për vendet e rajonit dhe se ato vijnë në momentin më të favorshëm.

“Në Bruksel u dakorduam për ndërtimin e Rrjetit Bazë dhe tani po përgatitemi për samitin e radhës në Vjenë për të ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e tij. Kjo do të sjellë më shumë mundësi për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët e vendeve tona”, është shprehur zëvendëskryeministri Thaçi.

Ai ka thënë se është jetike për rajonin që BE dhe SHBA, pas ndihmës së madhe dhënë paqes dhe stabilitetit për rajonin, të mbajnë premtimin për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe se edhe Ballkani Perëndimor duhet të mbajë zotimin që do të punojë me përkushtim maksimal për t’i plotësuar standardet dhe kriteret evropiane.

“Ne në Kosovë e shohim vitin 2015 si vit të Evropës. Ne presim që shumë shpejt do të nënshkruajmë MSA-në, presim që deri në fund të këtij viti t’i marrim rekomandimet për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Dhe presim që Procesi i Berlinit dhe Samiti i Vjenës vitin 2015-të ta bëjë një vit evropian për mbarë Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar zëvendëskryeministri Thaçi.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në këtë konferencë të nivelit të lartë, e cila erdhi si vazhdimësi e asaj të Berlinit dhe para konferencës së Vjenës, morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të shteteve të rajonit dhe deputetë të Parlamentit Evropian. Organizatorë të konferencës ishin Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Zyra Përfaqësuese e Landit të Baden-Ëürttembergut në Bashkimin Evropian, si dhe nga Fondi Evropian për Ballkanin.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-ky-eshte-viti-i-evropes-per-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala