Thaçi: Kosova vendi më i izoluar në Evropë

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për revistën të përjavshme austriake “Profil“ ka folur për pritshmërinë që shteti më i ri ka ndaj Bashkimit Evropian, për liberalizimin e vizave dhe krizën politike.

Duke folur për integrimin në Bashkimin Evropian, Thaçi ka thënë se në Kosovë ka një konsensus të plotë, që duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Hapi i radhës është liberalizimi i vizave për kosovarët, që duhet të ndodh deri në fund të këtij viti. Po ashtu ne synojmë të bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës dhe Interpolit”, ka thënë Thaçi për revistën austriake.

Ai ka folur edhe për transformimin e FSK-së dhe aspiratat e Kosovës për t’u bërë një ditë anëtare e NATO-s.

Thaçi ka folur edhe për izolimin e Kosovës, që sipas tij, është vendi më i izoluar në Evropë.

“Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka bërë përparime të shumta. Jemi njohur nga më shumë se gjysma e anëtarëve të OKB-së, nga më shumë se dy e treta e anëtarëve të BE-së dhe NATO-s. Kosova vuan edhe më tutje nga plagët dhe diskriminimi, si pasojë e luftës dhe gjenocidit”, ka shtuar ai.

Thaçi ka folur edhe për ngjarjet e fundit politike në Kosovës, ku tash e disa muaj opozita është duke protestuar, fillimisht kundër dy marrëveshjeve, më pas edhe për rrëzimin e Qeverisë.
Sipas tij, është shumë me rëndësi që të gjitha partitë të respektojnë ligjet e Kosovës dhe procedurat normale demokratike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-kosova-vendi-me-i-izoluar-ne-evrope/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala