Thaçi: Kosova do të ketë zërin e vet të pavarur në organizata ndërkombëtare

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal është një standard matës për partnerët në Unionin Europian, me të cilët matemi se a jemi të gatshëm për proces të integrimit në BE.

“Pra, fokusi i Brukselit, Berlinit, Parisit, por edhe Washingtonit ka qenë që të përforcohet paqja dhe stabiliteti në Ballkan dhe këtu kemi dhënë si Kosovë një kontribut të jashtëzakonshëm duke u bërë lider të dialogut në Europën Jug-Lindore. Kam qenë edhe nikoqir i Konferencës së gjashtë ministrave të punëve të jashtme të Ballkanit Perëndimor, duke e bërë kështu Prishtinën pjesë thelbësore të Procesit të Berlinit të filluar nga kancelarja Merkel”, tha Thaçi.

Ai tha se është lobuar me shtete partnere që mos të ketë vonesa në nënshkrim të MSA-së, as tek vendet e BE-së që kanë pasur rezerva të ndryshme.

“Kosova nuk e kërkon MSA-në si lëmoshë, por sepse e meriton. Kemi thelluar reformat e gjithëmbarshme, kemi punuar në fushat e tregtisë dhe bujqësisë si prioritare për BE-në dhe kemi qenë maksimalisht të angazhuar në dialog me fqinj. Pra, ne sivjet do të hyjmë në proces formal të integrimit në Union Europian dhe tash e tutje edhe pritjet e diplomacisë kosovare ndryshojnë duke u fokusuar me aktivitete kah agjenda e Brukselit që nënkupton edhe forcimin e bashkëpunimit ndër-kufitar”, ka thënë Thaçi.

Kosova, sipas tij, ka nevojë të ketë zërin e vet të pavarur në organizma ndërkombëtare dhe të ketë instrumentet e njëjta të zhvillimit si të gjitha shtetet tjera, prandaj edhe sivjet do të aplikohet për anëtarësi në Këshillin e Europës dhe agjencione të OKB-së.

“Kosova sivjet është kthyer kah bota dhe është duke tentuar të bëhet faktor i barabartë në organizma të mëdhenj global”, ka thënë ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-kosova-do-te-kete-zerin-e-vet-te-pavarur-ne-organizata-nderkombetare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala