Thaçi: Javën e ardhshme votohet Presidenti

Autori:Gazeta Fjala

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në Kosovë nuk ka krizë institucionale, por, siç tha ai, anarki opozitare.

 

Zëvendëskryeministri Thaçi, tha se zgjedhjet e reja do të mbahen në afatet kushtetuese, pas dy vjetësh, ndërsa zgjedhja e presidentit gjatë muajit shkurt.

Ai mohoi zërat se kriza aktuale në Kosovë po shfrytëzohet për të zvarritur ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, Kosova po shënon tetë vjetorin e pavarësisë së saj në një kohë kur po përballet me krizën politike më të rëndë që nga shpallja e saj. Si e shihni zgjidhjen e kësaj krize?

Hashim Thaçi: Kosova po shënon tetë vjetorin e pavarësisë në një rrethanë të përparimit, kemi fituar 111 njohje ndërkombëtare, është anëtarësuar në shumë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare në mesin e tyre edhe 29 federata sportive dhe presim që shumë shpejt Kosova të anëtarësohet në UEFA dhe FIFA, ndërsa sivjet për herë të parë do të marr pjesë edhe në lojërat olimpike në Rio De Janeiro. Kosova këtë tetë vjetor e shënon në një stabilitet shtetëror me një forcim të subjektivitetit të vet ndërkombëtar, si një vend i respektuar prej miqve dhe partnerëve të bashkësisë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë mund të them lirisht se ky tetë vjetor shënon edhe vitin e Kosovës evropiane sepse vetëm sa është nënshkruar marrëveshja e Stabilizim Asocimit por edhe tash kur jemi në prag të rekomandimeve për liberalizimin e vizave. Pra, kemi të bëjmë me një sukses të konsiderueshëm dhe në të njëjtën kohë shteti i ri i Kosovës përballet me sfida që i kanë edhe vendet tjera të rajonit, para se gjithash për të vazhduar trendin pozitiv të zhvillimit ekonomik, për të vazhduar thellimin e reformave në të gjitha sferat, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.

Zëri i Amerikës: Sipas jush, në Kosovë nuk ka krizë?

Hashim Thaçi: Në Kosovë ka anarki opozitare, por jo krizë institucionale, ka veprime arbitrare që e cenojnë dhe rrezikojnë demokracinë dhe të arriturat e Kosovës. Por, ne jemi të vendosur si institucione legjitime, legale dhe me një mazhorancë të fuqishme të vazhdojmë reformat e nevojshme, zbatimin e plotë të kritereve të Kopenhagës edhe në ekonomi, politikë dhe legjislacion, të punojmë për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, të krijojmë një ambient që çdo qytetar të ndihet mirë dhe krenar për të jetuar në Kosovë. Kosova është një vend i sigurt dhe me perspektivë të sigurt evropiane dhe se asnjë veprim anarkist ose që nuk përkon me traditën e qytetarëve të Kosovës, politikës së Kosovës dhe vizionit politik të vendit tonë nuk do të ngadhënjejë mbi vullnetin e qytetarëve, mbi institucionet legjitime, pra nuk do të mund të sfidohet as shteti e as institucionet prej asnjë ambicie që përmes rrugës të vijë në pushtet. Mund të ketë vërejtje dhe sugjerime për punën që bëhet, por ato duhet të prezantohen në institucionin më të nderuar të shtetit në Parlamentin e Kosovës. Ne e respektojmë të drejtën e njerëzve për të ngritur zërin ndaj çështjeve që janë të diskutueshme, por, në të njëjtën kohë duhet kuptuar se në pushtet arrihet përmes kutisë së votimit dhe jo përmes proceseve të dhunshme apo veprimeve arbitrare. Opozita kauzën e ka të gabuar dhe metodat i ka plotësisht të papranueshme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-javen-e-ardhshme-votohet-presidenti/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala