Thaçi i ka bërë votat, këtë javë votohet Specialja

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjykata Speciale, e cila do të jetë në rend dite këtë javë, pritet ta marrë përfundimisht bekimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Burime brenda partisë së Hashim Thaçit i kanë konfirmuar gazetës “Zëri” se deputetët e kësaj partie tashmë kanë ndryshuar pozicion dh e kanë siguruar shefin e tyre se do ta mbështesin krijimin e Dhomave të Specializuara.

“Tashmë ekzistojnë numrat dhe çështja e Speciales do të përmbyllet gjatë javës. Janë diku katër deputetë brenda PDK-së që nuk do ta votojnë, por ky numër nuk do ta pamundësojë krijimin e Gjykatës, meqenëse pjesa tjetër do ta mbështesë. Presim që Specialja do ta marrë mbështetjen e diku 84 deputetëve, nga 80 sa nevojitet”, ka thënë njëri nga nënkryetarët e PDK-së.

Sipas tij, lideri i partisë, Thaçi, pas sinjaleve pozitive që ka marrë nga deputetët e vet i ka siguruar diplomatët e Jashtëm se çështja e formimit të Dhomave të Veçanta do të përmbyllet deri në fund të javës.

“Edhe Qeveria e ka marrë mesazhin se është krijuar ambient i përshtatshëm për procedimin e amendamenteve kushtetuese, që i hapin rrugë Speciales, dhe presim procedimin e tyre, derisa seanca për Gjykatën ka gjasa të mbahet më 30 ose 31 korrik”, ka thënë zyrtari i PDK-së. /Zëri

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-i-ka-bere-votat-kete-jave-votohet-specialja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala