Thaçi falënderon Shqipërinë

Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaci ka falënderuar Shqipërinë për ndihmën që po i jep Kosovës, në të gjitha fushat për konsolidimin e shtetësisë. Ai këtë falënderim e ka bërë pas takimit që pati me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushatin.
Thaçi dhe Bushati thanë se kanë diskutuar në takim edhe për mbledhjen e përbashkët të qeverive më 23 mars. Bushati ka përgëzuar qeverinë e Kosovës për hapat e ndërmarra në dialogun me Serbinë. Ai shtoi se Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën në përpjekjet e saj për integrimet evropiane, liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin në NATO.
Bushati tha po ashtu se Tirana zyrtare mbështet qëndrimet e Prishtinës, se Gjykata Speciale për krimet e luftës është e padrejtë për Kosovën. Bushati tha se Kosova ka bërë luftë të drejtë çlirimtare dhe Gjykata Speciale nuk mund ta dëmtojë këtë luftë.
Ndërsa Thaçi shtoi se Gjykata Speciale është një gjë e padrejtë për Kosovën, por sipas tij, më mirë është që ta formojë Kuvendi i Kosovës, sesa të shkojë përmes Këshillit të Sigurimit.