Thaçi: Ekstremizmi, kërcënim për Ballkanin

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për agjencinë e lajmeve austriake “APA” është përqendruar në perspektivën evropiane të Kosovës dhe rajonit, bashkëpunimin fqinjësor dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm terrorizmit.
Duke folur për kërcënimet që mund të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, Thaçi ka theksuar se Ballkani Perëndimor po kërcënohet nga “Shteti Islamik” dhe ndikimi në rritje i Rusisë. Ai ka kritikuar edhe Serbinë, për të cilën ka thënë se është shumë e vështirë dhe joreale që të synojë paralelisht anëtarësimin në BE dhe organizimin e paradave për Vladimir Putinin.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është i kërcënuar aktualisht nga dy fenomene: nga njëra anë, IS (Shteti Islamik) dhe ekstremizmi i dhunshëm në disa pjesë të Ballkanit, dhe nga ana tjetër, nga ndikimi rus në rritje,” tha Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi ishte kritik edhe ndaj homologut të tij serb Ivica Daçiç, i cili të premten në konferencën e Vjenës ndaj anti-terrorizmit kishte tërhequr vërejtjen se Perëndimi nuk e ka luftuar me kohë ekstremizmin, por se madje e ka inkurajuar atë. “Kjo ishte ndoshta një përpjekje për të justifikuar rolin e tyre në përhapjen e dhunës dhe ekstremizmit njëzet vjet më parë,” tha Thaçi, duke iu referuar luftërave në Ballkan.
Sa i përket luftës kundër ekstremizmit islamik, Thaçi ka thënë se Kosova është duke e luftuar atë. Thaçi tha se, së fundi, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një ligj që dënon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat e huaja, ligj ky i mbështetur në modelin austriak. “Kosova është një shtet sekular dhe tolerant, me një Islam shumë të moderuar”, ka thënë Thaçi.
Ai ka folur edhe për procesin e njohjes së Kosovës me ç’rast ka thënë se Kosova është njohur nga 108 shtete anëtare të OKB-së dhe se ajo pothuajse vazhdimisht pranohet nga ndonjë organizatë ndërkombëtare, duke e përfshirë edhe Komitetin Ndërkombëtar Olimpik (IOC).
Thaçi gjithashtu shpreson se gjatë këtij viti Kosova do “të thyejë akullin” në pesë shtetet e BE-së, të cilat Kosovën nuk e njohin për shkak të frikës së precedentit për konfliktet e tyre etnike.
Njohjet nga Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qipro janë thelbësore për pranimin e Kosovës në BE dhe NATO, shpjegoi Thaçi.
Ai shtoi se procesi i anëtarësimit të Kosovës në OKB po del të jetë paksa më i ngadalshëm për shkak të Rusisë e cila e gëzon të drejtën e vetos. “Në të vërtetë, sa i përket çështjes së Kosovës, Rusia është më serbe se Serbia,” theksoi Thaçi.

Zëvendëskryeministri Thaçi është shprehur i bindur se Beogradi do ta njohë zyrtarisht Kosovën. “Njohja nga Serbia nuk do të realizohet brenda natës, por kjo do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Anëtarësimi i Serbisë në BE dhe njohja e Kosovës do të shkojnë krah për krahu,” tha ai.

Sipas marrëveshjes së koalicionit të partisë së z. Thaçi, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Thaçi do të zgjidhet president i Kosovës vitin e ardhshëm, raporton agjencia austriake e lajmeve APA.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-ekstremizmi-kercenim-per-ballkanin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala