Thaçi: Edhe në Beograd do të valojë flamuri i Kosovës

Kosova kurrë nuk ka qenë më e lirë, ndërsa shtetet e Ballkanit kurrë nuk kanë qenë në paqe me njëra-tjetrën siç janë sot, ka thënë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për portalin pan-evropian “EurActiv” me rastin e shtatë vjetorit të shtetësisë së Republikës.
Zëvendëskryeministri Thaçi ka nënvizuar rritjen ekonomike gjatë viteve të pavarësisë që ishte mesatarisht rreth 4% dhe borxhin e jashtëm më të ulëtin gjithandej Evropës Lindore.
Ai tha se mbi 80% e popullsisë është e kyçur në internet broadband, ndërsa në 7 vitet e pavarësisë janë ndërtuar edhe 1,500 km rrugë dhe 100 shkolla.
Thaçi tha se me gjithë investimet e rëndësishme infrastrukturore, kosovarët janë lodhur nga tranzicioni i dhimbshëm dhe kërkojnë standard më të mirë ekonomik. Rritja ekonomike nuk ka krijuar shumë vende të reja të punës për të rinjtë, pra Kosovës i mbetet edhe shumë për të bërë.