Thaçi e Veseli bindin 8 deputetë të PDK-së për themelim të Speciales

Autori:Avdyl Pajaziti

Drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari Hashim Thaçi dhe nëkryetari Kadri Veseli kanë arritur që t’i bindin shumicën e deputetëve të partisë së tyre që ta votojnë Gjykatën Speciale. Kështu kanë thënë burime brenda partisë më të madhe në vend. Sipas këtyre burimeve, nga 11 deputetë të kësaj partie sa ishin kundër, numri i tyre është reduktuar në 3.

“Koalicioni i ka votat për ta votuar Gjykatën Speciale. Sipas të gjitha gjasave, brenda javës së ardhshme do të votohet ky projektligj. Thaçi e Veseli i kanë bindur thuajse të gjithë deputetët e PDK-së që ta votojnë këtë projektligj”, tha ky burim për Gazetën Blic.

Gjithnjë sipas këtij burimi Fadil Demaku, Ganimete Musliu dhe Nait Hasani janë ata që ende nuk e kanë ndryshuar mendjen për votimin e kësaj gjykate.

Në anën tjetër, Gazeta Blic ka marrë vesh se PDK ka pasur presione të jashtëzakonshme për kalimin e projektligjit për themelimin e Gjykatës Speciale.

Gazeta Blic ka provuar që të kontaktoj me ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi për të mësuar më shumë për detaje sa i përket këtij projektligji, mirëpo ky i fundit nuk është përgjigjur.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë për medie se sipas të gjitha gjasave gjatë javës së ardhshme do të votohet ky projektligj.

Më 29 maj Kuvendi i Kosovës e kishte vënë në rend dite votimin e projektligjit për themelimin e Gjykatës Speciale, mirëpo me kërkesën e PDK-së u shty për një seancë tjetër, për faktin se hiq më pak se 11 deputetë nga kjo parti refuzuan që ta votojnë këtë projektligj.

Në anën tjëtër, partitë opozitare vazhdojnë të këmbëngulin për mos votimin e kësaj gjykate nga ana e deputetëve. Liderët e VV-së, AAK-së e Nismës, i janë drejtuar me një letër udhëheqësve të vendit që të mos lejojnë themelimin e kësaj gjykate.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-e-veseli-bindin-8-deputete-te-pdk-se-per-themelim-te-speciales/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala