Thaçi dhe Daçiq në Hagë

Autori:Avdyl Pajaziti

Shefat e diplomacive të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, janë ndër më shumë 40 ministrat dhe sekretarët shtetërorë që do të marrin pjesë në Konferencën e 4-t Globale për Sajber Hapësirën, që fillon sot në Hagë të Holandës.

Tubimi dyditor, tema kryesore të të cilit janë liria dhe siguria e internetit, ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit praktik të shteteve, biznesmenëve dhe institucioneve shkencore, për harmonizimin e standardeve dhe normave ndërkombëtare të sjelljes së pranueshme dhe për gjetjen e mënyrave për mbrojtjen e lirisë dhe privatësisë në internet.

Në konferencën, që do ta hapë kryeministri holandez Mark Rutte, ndër të tjerët, do të marrin shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland, ndërsa numri i përgjithshëm i shteteve pjesëmarrëse do të jetë rreth njëqind.

Në tubim do të debatohet për çështje të paqes dhe sigurisë botërore dhe për problemin e jursdikcionit në sajber-hapësirën, aspektet sociale të zhvillimit teknologjik dhe sigurisë së internetit për shekullin 21, ndërsa do të bëhet fjalë edhe për raportet ushtarake-civile të internetit, mbrojtjen e lirisë dhe privatësisë, luftën kundër sajber-spiunazhit dhe krimit dhe pengimin e sajber-sulmeve.

Një nga temat do të jetë edhe zhvillimi ekonomik i bazuar në teknologjitë informative, ndërsa pjesëmarrësit në tubim do të përpiqen të japin përgjigje edhe për pyetjet se si të vendoset baraspesha ndërmjet lirisë së shprehjes dhe sigurisë në internet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/thaci-dhe-daciq-ne-hage/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala