Tetë të vdekur e mbi 500 të lënduar në vendin e punës

Autori:Avdyl Pajaziti

Në Kosovë, gjatë këtij viti, tetë punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës, kurse 35 janë lënduar, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Inspektoratit të Punës.

Kryeinspektori i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, thotë se rastet më të shpeshta të vdekjeve dhe lëndimeve ndodhin në sektorin e ndërtimtarisë.

“Edhe gjatë vitit 2015, fatkeqësisht sikurse viteve të mëparshme, kemi pasur aksidente në vendin e punës, të cilat kanë rezultuar me vdekje, e disa me lëndime trupore”, thotë Ibrahimi.

Por, të dhëna krejt ndryshe për rastet në fjalë, paraqesin përfaqësuesit e punëtorëve. Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK), thotë se gjatë kësaj periudhe, në vendin e punës e kanë humbur jetën nëntë punëtorë, kurse 534punëtorë janë lënduar.

“Inspektorati i Punës mund të jetë mos i informuar. Ne në këtë rast nuk dëshirojmë që të kritikojmë, sepse pronari nuk i paraqet rastet për t’u ikur përgjegjësive ligjore. Por, sindikata të dhënat i ka marrë nga punëtorët dhe kolegët e tyre”, deklaron Azemi.

Ai ripërsërit shqetësimin e BSPK-së, se punëtorët në sektorin privat janë të rrezikuar për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse dhe keqtrajtimit apo diskriminimit që iu bëhet nga punëdhënësit.

Edhe kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, pranon se në sektorin privat, jo gjithmonëzbatohet Ligji i Punës, i cili mbron të drejtat e punëtorëve, por megjithatë, sipas tij, ka disa përmirësime.

“Ka gjithkund nga pak shkelje, por ajo që neve na shqetëson më shumë, është çështja e kontratave të punës. Fatmirësisht, në krahasim me vitet e kaluara, kemi hasur shumë më pak (raste), gati është përgjysmuar numri i punëtorëve pa kontrata pune. Por, gjithsesi është edhe orari i punës, i cili nuk respektohet nga shumë kompani”, shpjegon Ibrahimi.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në vitin 2011 ka miratuar Ligjin e Punës. Sipas këtij ligji, i punësuari ka të drejtë në sigurinë në punë, në mbrojtje të shëndetit dhe në ambientin e përshtatshëm të punës

Por, ajo çka mbetet shqetësuese për sindikatën e sektorit privat, është se punëtorët nuk raportojnë rastet e keqtrajtimit apo shkeljes së të drejtave të tyre, për shkak të rrezikut të humbjes së vendit të punës.

Madje, në këtë sektor, punëtorët nuk kanë guxim të formojnë sindikata që mbrojnë të drejtat e tyre, sepse në momentin kur ngrenë zërin për pakënaqësi, pronari mund t’iu hakmerret me largim nga puna.

Sidoqoftë, sektori privat në Kosovë është punëdhënësi më i madh. Sipas statistikave zyrtare, thuhet se në këtë sektor janë të punësuar mbi 220 mijë punëtorë, paga mesatare e të cilëve sillet nga 250 deri në 300 euro.

Kurse, në sektorin publik, mbi 81 mijë është numri i të punësuarve, paga mesatare e të cilëve është nga 300 deri në 400 euro në muaj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tete-te-vdekur-e-mbi-500-te-lenduar-ne-vendin-e-punes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala