Tetë arsye pse duhet të pimë çaj

Autori:Avdyl Pajaziti

Çaji përmban përbërësin i cili quhet flavanoid epigallacatechin gallate, i cili është përgjegjës për zvogëlimin e tumoreve.

Pas ujit, çaji është pija më e konsumuar në botë. Përveç shijes, arsye për këtë janë edhe veçoritë e tij që përmirësojnë shëndetin. Më të shëndetshmit janë çaji i gjelbër dhe zi dhe ja edhe tetë arsye pse:

Mund të zvogëlojë rrezikun nga sëmundjet e zemrës
Nëse çaji pihet tri apo më shumë herë në ditë ai mund të reduktojë rrezikun nga sëmundjet e zemrës, me siguri për shkak të antioksidantëve, ndërsa disa shkencëtarë thonë që çaji i gjelbër dhe i zi ndihmojnë në parandalimin e arterosklerozës.

Mund të reduktojë tumoret
Çaji përmban përbërësin i cili quhet flavanoid epigallacatechin gallate i cili është përgjegjës për reduktimin e tumoreve në testimet laboratorike të një studimi skocez, transmeton Koha.net. Mjekja Christine Dufes, udhëheqësja e hulumtimit, ka thënë se si çaji ka reduktuar madhësinë e tumorit, ndërsa te disa raste tumoret janë zhdukur tërësisht.

Ilaç potencial për kancerin e prostatës
Shkencëtarët kanë zbuluar metodën e cila me kombinimin e arit dhe çajit të gjelbër vret qelizat e kancerit të prostatës. Metodën e kanë publikuar në “Proceedings of the National Academy of Sciences”, ndërsa kanë thënë se si tek minjtë kanë arritur të reduktojnë tumorin në 80 për qind të rasteve. Çaji shërben si bartës i grimcave radioaktive të arit të cilat pastaj i vrasin qelizat e kancerit në prostatë.

Përmirëson vitalitetin në moshë më të vjetër
Studimi i kryer në 14 mijë njerëz më të moshuar se 65 vjet, i publikuar në “American Journal of Clinical Nutrition”, ka treguar që personat më vital ishin pikërisht ata që pinin çaj të gjelbër. Duke pirë çajin njerëzit më të vjetër do të kenë më pak probleme gjatë veprimeve si pastrimi apo larja dhe veshja.

Ul tensionin e gjakut
Edhe pse nuk mund të identifikohet saktë komponenti i çajit të zi i cili e bën këtë, ai e ul pak tensionin e gjakut, thotë një studim australian.

Forcon imunitetin
Çaji i gjelbër rrit numrin e qelizave T në trup të cilat janë të rëndësishme në sistemin e imunitetit, por edhe “mëson” të gjitha qelizat e sistemit të imunitetit për t’i njohur më mirë bakteret dhe dëmtuesit apo keqbërësit në trup.

Rehidraton
Edhe pse përmban kafeinë e cila dehidraton organizmin, çaji arrin të rehidratojë trupin.

Ndihmon gjatë dobësimit
Disa hulumtime sugjerojnë se si pirja e pesë filxhanëve çaj në ditë ndihmon gjatë humbjes së kilogramëve, veçanërisht në zonën e barkut.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tete-arsye-pse-duhet-te-pime-caj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala