Testi i suksesit dhe ndëshkimit

Ministria e Arsimit e vlerësoi si përgjithësisht të suksesshëm Testin e Maturës. Megjithatë, të gjeturat nga terreni kanë treguar se disa administrues nuk e kanë kryer punën si duhet. Ekspertët e arsimit thonë se sivjet testi ishte më mirë, por rrjedhja e testit nga vend-testimet tregon se ka nevojë për përmirësime.
Azem Guri – Kryetar i Komisionit të Testit të Maturës në MAShT, tha në emisionin Jeta në Kosovë se administrimi i testit ka shkuar mirë, edhe pse kanë evidentuar raste kur nuk është kryer puna si duhet.
“Nga informatat që ne i kemi pasur nga terreni, ne e kemi vlerësuar të suksesshëm mbarëvajtjen e këtij procesi të maturës”, tha Azem Guri nga MAShT-i.
“Të gjeturat e para janë se disa administrues nuk e kanë kryer punën e vet ashtu siç është e paraparë me udhëzimin dhe me legjislacionin në fuqi”, shtoi ai.
Eksperti për çështje të arsimit, Dukagjin Pupovci, e kishte përshtypjen se sivjet testi ka shkuar më mirë sesa vitin e kaluar. Por rrjedhja e testit nga vend-testimet, për Pupovcin tregon se ende ka vend për përmirësim.
“E kam përshtypjen se sivjet administrimi është më i mirë sesa vitet e kaluara. Ka pasur më pak komente rreth administrimit dhe është një përshtypje e përgjithshme që administrimi ka arritur një cilësi. Mirëpo, në anën tjetër, janë edhe këto rastet e rrjedhjes së testeve, pyetjeve nga vend-testimet. Pra shihet që ka ende nevojë që të bëhen përmirësime në administrim”, tha Pupovci gjatë debatit në emisionin Jeta në Kosovë.
Ai tha se rrjedhja e testit e dëmton kredibilietin e testit. Pupovci vlerëson se ekziston një vullnet për të kopjuar. Megjithatë, ai mendon se duhet të ketë prag të kalueshmërisë.
Kurse Nehat Mustafa, Ish- kryetar i Komisionit të Testit të Maturës dhe ish- zëvendësministër i Arsimit, tha se, edhe pse po bëhen përgatitje të mëdha deri para mbajtjes së testit, ai po deformohet në ditën e mbajtjes së tij.
“Testi i Maturës po deformohet vazhdimisht në ditën e administrimit të Testit. Deri në ditën e administrimit të Testit, edhe Ministria, edhe Komisioni Shtetëror i Maturës, maksimalisht po e bëjnë punën mirë. Ende nuk ka ndodhur që Testi të dalë ende pa filluar administrimi. Gjithmonë problemet po janë me administrimin”, tha Mustafa.
Mustafa tha se në vitin e kaluar kur ata e organizuar testin e maturës, kanë dorëzuar në Prokurori mbi 160 raste, për të cilat tha se prokuroria nuk e ka ndjekë asnjë rast. Mustafa, sikurse Pupovci, tha se pragu i kalueshmërisë nuk duhet të hiqet.
Drejtoresha për Arsim në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, duke marrë parasysh se ka pasur lëshime, siç është shpërndarja e testit nëpër rrjete sociale, ajo tha se vlerësimi që testi ishte i suksesshëm është pak i ngutshëm.
“Një fakt që është dokumentuar dhe e kemi parë të gjithë që kanë rrjedhë pyetjet në rrjetet sociale, atëherë unë mendoj se është pak i ngutshëm ky deklarimi se testi është i suksesshëm”, tha Nagavci.
Për dallim nga Pupovci dhe Mustafa, ajo mendon se duhet të hiqet pragu i kalueshmërisë në testin e maturës.
Për prorektoren për Cilësi në Universitetin e Prishtinës, Lindita Tahiri, rezultati i testit të maturës nuk është tregues për suksesin e nxënësve.
“Konstatimi i të gjitha njësive akademike është se ata të cilët vijnë me rezultate të caktuara, jo patjetër këto rezultate janë të besueshme dhe janë tregues i suksesit të tyre në të ardhmen”, tha prorektorja Tahiri.
Sipas saj, shprehia e kopjimit ia humb nxënësit aftësinë për të mësuar. Tahiri tha se rezultatet që dalin janë në shpërputhje me atë që studentët e tregojnë në praktikë.
Kallxo.com ka raportuar në ditën e mbajtjes së testit të maturës se përgjigjet e Testit të Maturës Shtetërore po shpërndahen masivisht nga grupe të organizuara nëpër rrjetet sociale.
Më pas, Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës publikoi vendimet në lidhje me sanksionet që do të ndërmerren ndaj keqpërdoruesve të administrimit të këtij proces, duke përfshire administratorë, maturantë dhe qytetarë.
Nga ky komision u dënuan tre mësimdhënës të cilët kishin bërë shkelje të këtyre procedurave, duke ndihmuar maturantët që të kopjonin si dhe duke plotësuar testet e nxënësve.
Testi i Maturës për afatin e parë të qershorit u mbajt më 6 qershor, të cilit iu nënshkruan 32 mijë e 965 nxënës në 244 qendra të testimit në mbarë Kosovën. Mbikëqyrja u bë prej 770 komisionarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, 2,500 administrues dhe 440 mbikëqyrës./KALLXO.com/