Tërnava kërkon ndihmë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Autori:Avdyl Pajaziti

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava përmes një letre dërguar autoritetit më të lartë fetar në Egjipt, shejhul Az’har-it, hirësisë së tij, Ahmed Muhamed Ahmed et-Tajib, ka kërkuar që të përdorë autoritetin e tij te qeveria e Egjiptit për ta përkrahur pranimin e Kosovës në UNESCO.

Në letrën drejtuar Shejhul Az’harit, myfiu Tërnava ia rikujton të kaluarën e Kosovës, si dhe gatishmërinë e vendit tonë për të qenë pjesë e institucioneve ndërkombëtare.

“Kosova është e gatshme dhe ka të gjitha kapacitetet që t’i marrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë në forumet dhe institucionet ndërkombëtare. Për ne pranimi në UNESCO është i një rëndësie të veçantë, sepse do të përfitonim përvojën, përkrahjen dhe mbështetjen për trajtim, ruajtje dhe promovim të trashëgimisë sonë shekullore, e cila më së miri shpreh dhe manifeston vlerat qytetëruese të popujve tanë. Ju lutem, i nderuar shejh, që të përdorni autoritetin tuaj te qeveria e Egjiptit, për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme, më 9 nëntor 2015”, ka shkruar Myftiu Tërnava.

Po me letër për përkrahjen e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, myftiu Tërnava i është drejtuar edhe sekretarit gjeneral të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Ijad Medeni, nga i cili po ashtu ka kërkuar përdorimin e autoritetit të tij te shtetet anëtare të Konferencës Islamike për ta përkrahur dhe mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ternava-kerkon-ndihme-per-anetaresimin-e-kosoves-ne-unesco/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala