Tërmkolli paralajmëron ballafaqim me Azem Sylën

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, assesi nuk po arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me deputetin e PDK-së, Azem Syla, me të cilin kishte pasur një polemikë qysh në kohën kur ajo ishte deputete e AAK-së. Asaj edhe sot i doli punë me të.

“Një deputet këtu nga PDK-ja, Azem Syla, bëri një shpifje. I përmendi do helikopterë, unë nuk e di. Me vjen keq që disa këtu kanë ra në atë derexhe. Unë do ta ndjek rrugën e drejtësisë”, tha Tërmkolli, duke iu përgjigjur deklarimeve të deputetit të PDK-së, Azem Syla, i cili më 6 maj të këtij viti iu kishte përgjigjur pretendimeve të Tërmkollit.

Tërmkolli më 5 shkurt të këtij viti, në foltoren e Kuvendit u kishte kërkuar dorëheqje kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, deputetëve të PDK-së, Azem Syla dhe Adem Grabovci.

“Z. Veseli, z. Azem Syla dhe z. Adem Grabovci, ju keni deklaruar se do të kishit dhënë dorëheqje në rast se do të deklaroheshit sikurse Jabllanoviqi, atëherë ju kisha lutë të jepni dorëheqje, sepse mbi të gjitha janë vrasjet politike, për të cilat asnjëherë nuk janë deklaruar”, kishte thënë Tërmkolli.

Kurse Azem Syla, më 6 maj, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, i kishte quajtur shpifje pretendimet ndaj tij.

“U garantoj të gjithë se është shpifje se gjoja kam Hotel Grandin, Victory, tenderët e KEK-ut. Këto të gjitha janë shpifje”, kishte thënë Syla. /kallxo.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/termkolli-paralajmeron-ballafaqim-me-azem-sylen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala