Tërmet në Greqi, 2 të vdekur dhe 5 të lënduar (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

Një tërmet i fuqishëm ka tronditur sot nga “themelet” Greqinë, nga i cili është regjistruar edhe një bilanc tragjik me viktima në njerëz.

Nga goditja e tërmetit ku si pasojë e tij janë shkaktuar edhe rrëshqitje masive të dheut, mësohet të kenë humbur jetën të paktën dy persona dhe janë plagosur edhe 5 të tjerë, nga të cilët dy fëmijë.

Epiqendra e tërmetit ka qenë ishulli Lefkadha, ku ka pasur rrëshqitje masive të dheut, shembje toke dhe dëmtime të shumta në banesa.

Dy viktimat ishin të moshuar përkatësisht 60 dhe 70 vjeç, ndërkohë që të plagosur janë dërguar menjëherë në spital.

Mediat greke raportojnë se viktimat janë dy gra të moshës 60 dhe 70 vjeç. 60-vjeçarja humbi jetën nga një masiv shkëmbor që u përplas në banesën e saj, kurse për 70-vjeçaren nuk janë bërë të dituar ende shkaqet, por mësohet se jetonte në fshat.

Në Greqi u ndjenë dy tërmete, njëri rreth orës 09:10 me orën lokale me magnitudë 6.5 ballë i shkallës Rihter.

Ky u ndje edhe në Shqipëri, deri në Tiranë.

Kurse tërmeti i dytë ra rreth orës 09:45 me orën lokale me magnitudë 5.2. Nga tërmeti i dytë nuk është raportuar për viktima apo dëme materiale. /mapo.al/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/termet-ne-greqi-2-te-vdekur-dhe-5-te-lenduar-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala