Tërhiqet vullnetarisht nga lista e veteranëve

Pas daljes publike të listës së veteranëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së në kuadër të fondit “Vendlindja Thërret”, Mehmet Bislimi, veteran i çështjes kombëtare, ka bërë publike largimin e tij nga kjo listë.
Bislimi akuzon Komisionin qeveritar për verifikimin e pjesëtarëve të UÇK-së, se ka bërë barazimin e luftëtarëve me ata që e sabotuan, penguan, mohuan duke i fut në listë edhe fëmijë nën moshën 15 vjeçe.
Ja reagimi i plotë:
“Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, veteranit, pjesëtarit etj.
Kërkesë:
Më shumë mirësi kërkoj që emri im, të tërhiqet nga lista e veteranit të luftës së UÇK-ës, që mbanë numrin rendor 66, të “FVTH”-Statusi i Veteranit!
Që nga mosha ime rinore (në mundësitë e mia), jam munduar ti përgjigjem zërit të atdheut për lirinë e të cilit obligohemi të gjithë.
As një herë nuk kam pranuar dhe nuk dua të pranoj privilegje që mund të dalin nga këto obligime!
– Unë ndihem përjetësisht borxhli ndaj atdheut- atdheu nuk më ka asnjë borxh mua!
Prandaj si vijon:
kërkoj publikisht nga Komisioni i lartshënuar që të tërhiqet emri im (me numër rendor 66), nga lista e “Statusit të Veteranit”. Unë veten e konsideroj vetëm luftëtarë të lirisë dhe as gjë më shumë!
Kjo, edhe për faktin e devalvimit të këtyre listave deri në banalitet. Konsideroj se nuk mund të jenë veteran të gjithë njësoj; edhe ata që vërtetë u përgjakën, edhe ata që luftën tonë çlirimtare e mohuan, e penguan, e sabotuan, madje për të qenë absurdi edhe më i madh në ato lista ka edhe të atillë, që në kohë lufte ishin fëmijë, respektivisht nën moshë 15 vjeçe- tani Veteran!
Faleminderit për mirëkuptim, respekti dhe nderi i secilit në vend të vet!
11.06.2015, Kreuzlingen,
Me shumë përzemërsi
Mehmet BISLIMI”.