Tender sekret për babanë në Komunën e Mitrovicës

Autori:Avdyl Pajaziti

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se Komuna e Mitrovicës lidhi kontratë publike me firmën që është në pronësi të babait dhe xhaxhallarëve të drejtorit të prokurimit, Besnik Beka.

Përveç afërsisë familjare, komuna, bazuar në gjetjet e auditorëve, nuk dorëzoi njoftimin për dhënie të kontratës në KRPP. Po ashtu firma “Ariani” u pagua dyfish më shtrenjtë sesa një kompani tjetër që e bënë të njejtën punë. Kajtazi Peci, pronar i firmës konkurrente Unioni, lidhur me përfitimet e firmës Ariani nga komuna pati deklaruar se “kush o nër dardha han dardha”

Besnik Beka, 27 vjeçar, ende pa i bërë dy muaj në krye të Drejtorisë së Prokurimit në Mitrovicë u përfshi në një tender të dyshimtë.

Pas 53 ditëve të Bekës në krye të kësaj drejtorie, firma “Ariani” që është në pronësi të babait dhe xhaxhallarëve të Besnik Bekës, lidhi kontratë me Komunën e Mitrovicës.
Beka në këtë pozitë erdhi më 15 gusht të vitit 2014, pasi shërbeu për një kohë si këshilltar politik i kryetarit Agim Bahtiri.

Ai është nga Gushavci i Mitrovicës, i të njëjtit fshat me kryetarin. Është mik me kryetarin dhe bazuar në postimet e tij në Facebook, Beka në janar të këtij viti ka qenë në vizitë në Holandë në, siç e ka quajtur, “Odën e Familjes Bahtiri në Holandë”.

Por si e fitoi kontratën firma e familjarëve të Bekës dhe pse ajo është e parregullt sipas Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP)?

ZAP publikoi muajin e kaluar raportin për Komunën e Mitrovicës. Aty përfshihen gjetjet e auditorëve për parregullsitë që kanë ndodhur gjatë vitit 2014.

Një prej gjetjeve të rëndësishme është kontrata e lidhur me Firmën “Ariani” që u shpall fituese më 7 tetor të vitit 2014.

“Te kontrata ‘Transporti i Nxënësve në Relacionin Vaganicë – SHMU ‘Skënderbeu’ me vlerë deri në 10,000 €, mungonte deklarata mbi disponueshmërinë e fondeve. Njoftimi për dhënie të kontratës nuk ishte dërguar në KRPP, po ashtu kjo kontratë nuk ekzistonte në raportin kontratave vjetore,” thuhet në raportin e ZAP-it.

Në kompaninë “Ariani” kishte punuar më herët edhe vetë Besnik Beka.
“Ariani” vitin e kaluar kishte fituar edhe një kontratë tjetër nga Komuna e Mitrovicës. Ishte shpallur fitues në tenderin për bartjen e nxënësve në ekskursionin për Shqipëri.
Drejtësia në Kosovë raportoi për këtë tender në shkurt të vitit 2015.

Sami Beka, xhaxhai i Besnikut, kishte konfirmuar atëherë se drejtori i tanishëm i prokurimit kishte punuar në këtë firmë. Pati thënë se “i ka bajt letrat e firmës”. Këtë punë tash, sipas Sami Bekës, e kryen vëllai i Besnikut.

Ndërkaq Besnik Beka, në biografinë e tij në faqen zyrtare të komunës, ka shënuar se ka punuar një kohë të gjatë si kontabilist në sektorin privat.
Sami Beka pati konfirmuar se firma Ariani është në pronësi të tij dhe vëllëzërve të tij duke përmendur edhe Gani Bekën, prindin e Besnikut,

Ndërkohë firma “Ariani” derisa kontratën për bartjen e nxënësve për ekskursion e kishte fituar nëpërmjet tenderit të hapur, këtë për bartjen e nxënësve të Vaganicës deri në Shkollën “Skënderbeu” e ka fituar nëpërmjet tenderit të mbyllur.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se përveç procedurës së mbyllur, kjo kontratë ka edhe tjera parregullsi duke nisur nga shpërfillja e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik e deri te pagesat dyfish më të shtrenjta që i bëhen firmës “Ariani” në krahasim me një kompani tjetër që e bën të njejtën punë.

Shpërfillja e KRPP-së

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga Komuna e Mitrovicës komente lidhur me të gjeturat e auditorëve.
Autoritetet komunale bëjnë fajtor Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik lidhur me mospublikimin e njoftimit për dhënie të kontratës.

“Njoftimi është bërë në KRPP më 07.10.2014. Mirëpo për shkak të problemeve teknike KRPP-ja nuk e ka publikuar njoftimin për dhënie në uebfaqen e vet,” deklaroi Hysni Syla, zëdhënës i komunës.

Kjo u mohua nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

Departamenti i Monitorimit i këtij institucioni në përgjigjen nëpërmjet e-mailit deklaroi se Komuna e Mitrovicës nuk e ka dërguar njoftimin për dhënie të kontratës për publikim në KRPP.

“Me këtë rast autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me nenin 42.1 të LPP-së. 04/L-042”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.
Ky nen obligon institucionet që menjëherë të dorëzojnë njoftimin në tri gjuhët-shqip, anglisht e serbisht.

Derisa në përgjigjet dhënë Gazetës Jeta në Kosovë, Komuna e Mitrovicës fajëson vetëm KRPP-në, në përgjigjet e dhëna auditorëve kishte fajësuar edhe vetë zyrën komunale të prokurimit.

“Përgjigjja nga komuna për mosnjoftimin e kësaj lëndeje në KRPP, ishte gjoja se ata (KRPP) kanë bërë gabim teknik dhe nga pakujdesia (neglizhenca) e zyrës së prokurimit,” ishte përgjigjja e Qendresa Mulajt, zëdhënëse e ZAP-it kur u pyet se çfarë arsyetimi kishte dhënë Komuna e Mitrovicës lidhur me mosdorëzimin në KRPP të njoftimit për dhënie kontrate.

Përveç kësaj gjetjeje, auditori konkludoi se kjo kontratë nuk gjendet në raportin vjetor të kontratave të Komunës së Mitrovicës.

Hysni Syla, zëdhënësi i komunës, duke komentuar këtë gjetje të auditorëve sërish bëri me gisht kah KRPP-ja.

Tha se komuna e ka përpiluar raportin e kontratave bazuar në raportin e bërë nga KRPP-ja.
“Raporti i kontratave është nxjerr nga arkivi i KRPP-së. Nuk është identifikuar sepse KRPP-ja nuk e ka publikuar njoftimin në fjalë dhe për këtë arsye nuk gjendet as në raportin e vitit 2014,” tha Syla.

Beka nuk komenton afërsinë me firmën e kontraktuar

Besnik Beka, drejtor i prokurimit, nuk dëshiroi të komentojë kur u pyet se si pikërisht kompania në pronësi të babait dhe xhaxhallarë të tij fitoi tender nga zyra që ai e udhëheq.
Ndërkaq kompania “Ariani”, në përgjigjen nëpërmjet e-mailit , deklaroi se fitoi në tender për shkak të çmimit më të lirë.

“… jemi ftuar si operatori më çmimin më të lirë për nënshkrimin e kontratës” thuhet në përgjigjen e kompanisë “Ariani”.

Në përgjigjet e kompanisë thuhet se tenderi ishte i hapur.

“Lidhur me tenderin për transportin e nxënësve të Vaganicës, kompania jonë ka konkurruar në m[nyrë të hapur ku jemi ftuar nga zyra pritëse për marrjen e dosjes së tenderit,” thuhet në përgjigjen e kompanisë, ndonëse vetë Besnik Beka, drejtor prokurimi, e thotë të kundërtën.

Kajtaz Peci, pronari i Kompanisë “Union”, theksoi së ai nuk di asgjë lidhur më këtë tender të fituar nga kompania “Ariani”, kur u pyet nëse ishte ftuar nga komuna që të dorëzonte ofertë.

“Kompania jonë “Union” ka kontratë trevjeçare me Komunën e Mitrovicës për transportin e nxënësve. Gjithsej kemi tetë linja. Ndërsa për linjën e Vaganicës ne nuk dimë asgjë dhe as që na ka kontakruar dikush për këtë punë,” theksoi Peci.

“Ariani” paguhet dyfish më shtrenjtë

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar kontratën e lidhur me kompaninë “Ariani”. Kontrata parashehtransportimin e nxënësve në relacionin Vaganicë-Shipol.

Ndërkaq për tetë linja tjera komunale është e kontraktuar kompania “Unioni”. Edhe kjo kontratë është siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Këto dy kontrata kanë dallime thelbësore.

Kontrata me kompaninë “Unioni” është lidhur pas aplikimit të procedurës së hapur tenderuese, ndërsa kontrata me kompaninë “Ariani është lidhur pas aplikimit të procedurës-kuotim i çmimeve.
Kjo procedurë parasheh tenderë të mbyllur dhe ia mundëson autoritetit kontraktues që të përzgjedhë se cilat kompani janë të denja të ofertojnë.

Besnik Beka , drejtor i prokurimit, arsyeton aplikimin e procedurës së mbyllur për shkak të çmimit nën 10 mijë euro të kontratës së lidhur me kompaninë “Ariani”.

“Kontrata me kompaninë ‘Unioni’ është kontratë-kornizë trevjeçare. Ndërsa kontrata më kompanin ‘Ariani’ është kuotim çmimi qe do të thotë së është nën 10 mijë euro dhe vlen vetëm për vitin shkollor 2014 – 2015,” theksoi Beka.

Ndryshimi tjetër është te çmimi dyfish më i lartë që për të njëjtën punë merr firma “Ariani” në krahasim me Firmën “Union”.

Te kontrata me kompaninë “Unioni” shënohet çmimi për njësi që sillet nga 20 deri në 40 centë për nxënës, varësisht prej relacionit ku dërgohet.

Ndërsa kontrata e Kompanisë “Ariani” e lidhur me Drejtorinë e Prokurimit, nuk e ka të caktuar çmimin për një nxënës, po vetëm shumën e përgjithshme të kontratës prej 9 mijë e 600 eurove.
Kompania “Union” paguhet 2 mijë e 700 euro në muaj për tetë linja. Për një linjë paguhet rreth 350 euro.

Ndërsa kompania “Ariani” ka marrë deri në 800 euro vetëm për një linjë.
Drejtoria e Prokurimit e udhëhequr nga Besnik Beka, nëpërmjet Zyrës për Media, dha arsyetimin se pse kompania “Ariani” paguhet më shumë sesa kompania “Union”.

Hysni Syla, zëdhënësi i komunës, thotë se dallimi në çmim është për shkak se Kompania “Ariani” i transporton nxënësit me autobusë, ndërsa Unioni me kombibusë.

“Kompania ‘Ariani’ ka kontratë për bartjen e nxënësve me autobus, ndërsa kompania ‘Unioni’ i transporton nxënësit kryesisht me kombibusë, gjë e cila është e ndaluar me ligj, andaj edhe për këtë gjë ka marrë vërejtje nga komuna, përkatësisht nga Drejtoria e Arsimit,” deklaroi Syla.

Por Komuna duke u arsyetuar se pse “Ariani” e ka çmimin më të lartë, tregon se i ka caktuar çmim më të ulët firmës “Unioni” pasi që i bart nxënësit me kombibusë në mënyrë të kundërligjshme.

Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, nëse pohimi i komunës është i qëndrueshëm, është dashur që kompania të diskualifikohej, e jo t’i caktohej çmim më i ulët në kontratë për shkak të bartjes së nxënësve në mënyrë të kundërligjshme.

Kajtaz Peci, i firmës “Union”, deklaroi se nuk është e vërtetë që bart nxënësit me kombibusë.

“I bartim me minibusë, e jo kombibusë,“ thotë Peci, duke shtuar se aktivizon minibusët në fshatrat ku ka pak nxënës. Kjo, sipas tij, është e lejueshme pasi që minibusët teknikisht ndryshojnë nga autobusët vetëm përkah sasia e ulëseve.

Peci kishte adresuar kritika ndaj autoriteteve komunale edhe në shkurt të këtij viti kur ishte intervistuar nga “Drejtësia në Kosovë”.

Kishte deklaruar se “Kush rrin nër dardhë, han dardha”, kur ishte pyetur për mënyrën se si ishte shpallur fitues në tenderë kompania “Ariani”, e cila është në pronësi të familjarëve të drejtorit të prokurimit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tender-sekret-per-babane-ne-komunen-e-mitrovices/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala